Hapet aplikimi për subvencionet e teksteve shkollore, afati 9 gusht
Prindërit thonë se shuma mbulon tekstet, por jo çanta, fletore apo veshmbathje për fillimin e vitit shkollor.
PRISHTINË — Ministria e Arsimit dhe Shkencës hapi të hënën aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e klasave 1–9, në prag të vitit të ri shkollor. Aplikimi bëhet përmes platformës eKosova dhe është i hapur nga 27 korriku deri më 9 gusht 2026, ndërsa mjetet financiare transferohen drejtpërdrejt në llogarinë bankare të prindit ose aplikuesit.
Prindërit e mirëpresin ndihmën, por thonë se shuma nuk mbulon krejt shpenzimet e fillimit të vitit shkollor. Fatmir Zhurri tha se ka aplikuar edhe këtë vit, por ende nuk e di sa do të jetë mbështetja: “Vjet kemi marrë 100 euro, mirë ka qenë. Tash nuk e di sa është, ende nuk është e qartë”, u shpreh ai.
Sipas Zhurrit, ndihma mbulon tekstet dhe pjesërisht mjetet shkollore, por jo edhe nevojat e tjera të familjes. “Jemi të moshuar, nuk jemi të punësuar. As gruaja nuk është e punësuar. Nuk është e mjaftueshme për askënd”, tha ai, duke kërkuar që subvencioni të zgjerohet edhe për çanta e pajisje të tjera.
Shaqir Aliukaj gjithashtu e vlerëson subvencionin si ndihmë të mirë për prindërit, por thotë se mbulon vetëm një pjesë të shpenzimeve. “Ndoshta diku mjafton, por jo për krejt. Ndoshta mbulon afërsisht tekstet, por jo gjithçka”, tha ai, duke përmendur fletoret, çantat, veshmbathjet dhe udhëtimet si shpenzime shtesë të prindërve.
Zymer Magori, i cili nuk përfiton këtë vit pasi fëmijët e tij janë rritur, kujton se më parë librat shpërndaheshin drejtpërdrejt në shkolla nga Shtëpia Botuese Dukagjini. “Mendoj se sistemi i mëparshëm ka qenë më i mirë se ky i tre viteve të fundit”, tha ai, i cili doli në pension nga arsimi.
Magori shtoi se disa familje shqiptare në Zvicër e Gjermani kanë marrë të holla për fëmijë të regjistruar në Kosovë, edhe pse jetojnë jashtë vendit — sipas tij, kjo kërkon një klasifikim më të mirë nga Ministria. Ai e cilëson ligjin si të mirë, por thotë se mënyra e zbatimit “nuk e di sa është e suksesshme”.
Vetëm librat shkollorë kushtojnë rreth 100 euro për familje, sipas Magorit, prandaj subvencioni mbetet një lehtësim i rëndësishëm në një kohë kur çmimet janë shtrenjtuar — edhe pse, sipas prindërve të tjerë, ende larg nga mbulimi i plotë i kostos së kthimit në shkollë.
Burim: Ekonomia Online
— Redaksia ZHURMA