Guri ankohet ndaj vendimit për pushimin e hetimeve ndaj Pecit e Pacollit
Deputeti i LDK-së ka dorëzuar ankesë dhe padi për shpifje, ndërsa paralajmëron publikimin e dëshmive të punonjësve të ministrisë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka njoftor se ka dorëzuar ankesë kundër vendimit të Prokurorisë Speciale për pushimin e hetimeve në rastin e ish-ministrit të Bujqësisë Faton Peci dhe ministres së Mjedisit, Fitore Pacolli, që lidhen me ndarjen e granteve nga Ministria e Bujqësisë. Prokuroria kishte njoftuar më parë se i kishte pushuar hetimet me arsyetimin se nuk janë vërtetuar elementet e veprës penale.
Guri ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do t'i bëjë publike dëshmitë e dhëna para Prokurorisë nga vetë punonjësit e ministrisë, të cilat i ka cilësuar si «dëshmi tronditëse, që e bëjnë të pakuptueshëm vendimin për pushimin e hetimeve!». Krahas ankesës, ai ka dorëzuar gjithashtu një padi për shpifje kundër Faton Pecit lidhur me akuzat publike drejtuar atij.
Guri ka deklaruar se nuk do të ndalet nga presioni dhe sulmet personale. «As shpifjet, as sulmet, as presioni nuk më ndalin!», ka shkruar ai, duke shtuar se paraja publike nuk është pronë private e askujt dhe se çështja nuk përfundon me kaq.