Policia shpall në kërkim gruan e Florenc Çapjas pas sulmit ndaj Elton Qynos
Autore e dyshuar e goditi gazetarin me telefon dhe çantë pranë Spitalit Amerikan 3 në Tiranë, pas kërcënimeve të vazhdueshme nga ky grup.
TIRANË — Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim bashkëshorten e Florenc Çapjas, pas një kallëzimi penal nga gazetari Elton Qyno për sulm fizik dhe kërcënime. Ngjarja ka ndodhur pranë Spitalit Amerikan 3 në kryeqytet, ku gazetari dyshohet se është sulmuar fizikisht me telefon dhe sende të tjera.
Sipas dëshmisë së gazetarit, sulmi erdhi pas mesazheve kërcënuese nga persona të lidhur me grupin e Çapjave në Elbasan. Pas kallëzimit të Qynos, policia administroi pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes për të dokumentuar sulmin dhe për të identifikuar autoren e dyshuar.
Qyno ka publikuar më parë materiale investigative mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në Elbasan, përfshirë edhe familjen Çapja, e cila është shënjestruar shpesh nga strukturat e SPAK. Bashkëshorti i autores së dyshuar, Florenc Çapja, është i dënuar me burgim të përjetshëm.
Gazetari ka qenë gjithashtu subjekt i proceseve gjyqësore me SPAK për një dosje të lidhur me grupin e Suel Çelës. Megjithatë, pretendimet ndaj tij për përfshirje në aktivitete kriminale apo fshirje lajmesh kundrejt pagesës nuk u provuan në Gjykatën e Apelit të GJKKO-së.
Gjykata Kushtetuese gjithashtu rrëzoi vendimet e mëparshme për sekuestrimin e telefonave dhe sendeve të Qynos. Sekuestrimi ishte kërkuar pas publikimit prej tij të bisedave në aplikacionin Sky ECC mes personave të dyshuar të botës së krimit.
Burim: Shekulli
— Redaksia ZHURMA