Gori: Rasti i Veliajt dhe paraburgimi i zgjatur do të ngrihen në PE
Eurodeputeti italian kërkon shpjegime nga Kaja Kallas dhe thekson se çështja duhet diskutuar gjatë negociatave të anëtarësimit.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar në rrjetet sociale deklaratën e eurodeputetit italian Giorgio Gori, i cili ka kërkuar shpjegime lidhur me rastin e paraburgimit të zgjatur të kryebashkiakut. Në një deklaratë për gazetën italiane «Domani», eurodeputeti bëri të ditur se i është drejtuar zyrtarisht Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, për të kërkuar sqarime rreth kësaj çështjeje.
Gori u shpreh se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të gjykuar fajësinë apo pafajësinë, por theksoi se mbështet parimin e prezumimit të pafajësisë dhe se në këtë rast mungojnë garancitë minimale, pasi nuk është zhvilluar as seancë dëgjimore. Ai e cilësoi situatën e paraburgimit si mjaft patologjike në Shqipëri, ku një pjesë e madhe e popullsisë së burgjeve mbahet pas hekurave pa një dënim të formës së prerë, duke shtuar se personat nën hetim nuk mund të mbahen në burg.
Sipas eurodeputetit italian, kjo çështje duhet të diskutohet gjatë negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të cilat sipas tij po përparojnë pozitivisht. Ai ka paralajmëruar gjithashtu se rasti «do të ngrihet edhe në Parlamentin Evropian».