Gjykata Themelore në Mitrovicë dënon me tre vjet burgim policin Korab Pepaj
Zyrtari policor Korab Pepaj është shpallur fajtor për vrasje në tentativë ndaj Milan Jovanoviqit gjatë një incidenti në prill të vitit 2023 tek Ura e Bistricës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me tre vjet burgim zyrtarin policor Korab Pepaj, i akuzuar për vrasje në tentativë të Millan Jovanoviqit. Incidenti kishte ndodhur në prill të vitit 2023, në pikën e kontrollit policor te Ura e Bistricës në veri të Kosovës, pasi Jovanoviqi nuk kishte respektuar urdhrin për ndalim gjatë lëvizjes në magjistralen Leposaviq–Mitrovicë. Sipas dosjes së Prokurorisë, polici kishte shtënë dy herë me armën zyrtare në drejtim të automjetit nga pjesa e pasme, duke lënë të plagosur në krahun e djathtë drejtuesin e mjetit.
Aktgjykimi është shpallur në përfundim të procesit të rigjykimit, duke përsëritur dënimin e njëjtë me atë të gjykimit të parë, pasi Gjykata e Apelit kishte vendosur më herët kthimin e lëndës në rigjykim. Mbrojtja e të akuzuarit ka kundërshtuar vendimin duke argumentuar se nuk ishte provuar dashja për vrasje dhe se Prokurodia nuk kishte arritur të vërtetonte qëllimin e policit përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërsa në procesin e hershëm ishte shqyrtuar edhe akuza për manipulim me prova, nga e cila Pepaj ishte liruar.