Gjykata e Durrësit ia kalon GJKKO-së dosjen e ish-drejtoreshës së Postës
Mbrojtja kishte kërkuar zëvendësim të masës së sigurisë për Elisabeta Matajn, e akuzuar për vjedhjen e fondeve.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
DURRËS — Gjykata e Durrësit ka shpallur moskompetencën lëndore për shqyrtimin e kërkesës së mbrojtjes për ish-drejtoreshen e filialit të Postës Shqiptare, Elisabeta Mataj, duke ia përcjellë aktet Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mbrojtja kishte kërkuar informacion mbi ecurinë e hetimeve dhe zëvendësimin e masës së sigurisë, ndërkohë që Mataj ndodhet në arrest shtëpie bashkë me ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana.
Avokati i saj, Ilia Ilia, deklaroi se klientja kishte zgjedhur të mos merrte pjesë në seancë, ndërsa e cilësoi të paligjshme mungesën e prokurorit dhe shtoi se mbrojtja kishte mësuar nga mediat për kalimin e dosjes në SPAK, pa marrë njoftim zyrtar. Gjyqtari bëri me dije se Prokuroria e Durrësit kishte njoftuar gjykatën për shpalljen e moskompetencës më 28 tetor, pasi ishin gjetur elementë të grupit të strukturuar kriminal, duke përfshirë dyshime edhe për deputeten e Partisë Socialiste, Etleva Budini, e cila ka mbajtur postin e drejtoreshës deri në vitin 2025.
Skandali shpërtheu në muajin korrik, kur u arrestua drejtoresha e atëhershme Elisabeta Mataj, e akuzuar se në bashkëpunim përvetësoi mbi 700 mijë euro të destinuara për pensionet në Krujë dhe Shijak, çështje e cila po kalon në shqyrtim të mëtejshëm në GJKKO.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar