Gjoba 45 euro për shoferët pa pajisje dimërore nga 15 nëntori
Në Maqedoninë e Veriut nga 15 nëntori hyn në fuqi detyrimi për pajisje dimërore në automjete, ndërsa gjobat për shkelësit arrijnë në 45 euro.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Nga 15 nëntori 2026, në Maqedoninë e Veriut hyn në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve të përcaktuara dimërore në automjetet motorike dhe makineritë mobile, i cili do të jetë i vlefshëm deri më 15 mars të vitit të ardhshëm. Shoferët që nuk i respektojnë rregullat rrezikojnë gjobë prej 45 eurosh në kundërvlerë denari ose regjistrimin e 25 pikëve negative, në përputhje me dispozitat ligjore dhe Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.
Për automjetet me masë maksimale të lejuar deri në 3.500 kilogramë kërkohen goma dimërore në të gjitha rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash. Si alternativë lejohen goma verore me profil të paktën 4 milimetra, por me zinxhirë bore për rrotat tërheqëse. Për automjetet 4x4 dhe ato mbi 3.500 kilogramë, gomat dimërore duhet të kenë profil të paktën 6 milimetra, ndërsa përdorimi i gomave verore kërkon zinxhirë sipas kategorisë së automjetit dhe boshtit përkatës. Autobusët dhe kamionët që nuk mund të vendosin zinxhirë duhet të kenë goma dimërore në rrotat tërheqëse dhe pajisje ndihmëse.