Pse Gjirokastra po humbet turistët në mbrëmje?
Pse një pjesë e konsiderueshme e vizitorëve detyrohen të udhëtojnë drejt Sarandës për t'u akomoduar?
GJIROKASTRË — Në 28 qershor 2026, qyteti i gurtë po përballet me një paradoks ekonomik gjatë sezonit të verës: rritje të ndjeshme të fluksit të turistëve, por kapacitete hoteliere të pamjaftueshme që nuk lejojnë qyteti të mbajë vizitorët.
Prej fillimit të vitit, Gjirokastra ka mirëpritur rreth 100 mijë turistë, të shumica të huaj. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk kanë mundësi të akomodohen lokalisht për shkak të mungesës së bujtinave dhe hoteleve, gjë që i detyron ata të kërkojnë strehim në qytetin e Sarandës.
Maksim Hoxha, kryetar i Dhomës së Tregtisë në Gjirokastër, shpjegon se: “Në qytetin tonë çdo ditë pas orës 11:00 ka një numër shumë të lartë vizitorësh, janë pothuajse të mbushura kalldrëmet dhe pikat turistike të Gjirokastrës, të cilat janë të vizitueshme kalaja, muzetë, dhe pastaj në mbrëmje ka një zbehje të kësaj sepse janë vetëm ata që akomodohen nëpër hotele.”
Sipas Hoxhës, kjo zbehje ndodh sepse grupet e mëdha, duke mos pasur mundësi akomodimi në Gjirokastër, largohen drejt Sarandës, ndërsa në qytet mbeten vetëm ata që kanë gjetur vend në hotele.
Përveç mungesës së shtrateve, biznesi lokal po përballet me një goditje tjetër ekonomike nga zhvlerësimi i kursit të monedhës euro, një problem që sipas Dhomës së Tregtisë nuk po diskutohet mjaftueshëm në hapësirën publike. “Sektori i turizmit në këtë moment që flasim po merr një goditje që nuk flitet por është nga pjesa e shkëmbimit valutor,” thotë Hoxha.
Ai thekson se kontratat dhe pagesat e turizmit mbyllen në euro, ndërsa shpenzimet e biznesit paguhen me lekë. Ky shkëmbim valutor po shkakton një humbje ekonomike të llogaritur rreth 25%-30% për operatorët lokalë.
Këto sfida vijnë në një kohë kur turizmi është një nga sektorët prioritarë për ekonominë lokale, ndërkohë që qyteti i gurtë mbetet një markë e njohur në tregun ndërkombëtar, por që nuk po arrin të kapitalizojë plotësisht fluksin e vizitorëve.
Burim: Euronews Albania
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.