Gjirokastër: Arrestohet 19-vjeçari që vodhi dy herë arkën e objektit të kultit
Një 19-vjeçar në Gjirokastër është vënë në pranga pasi dyshohet se vodhi dy herë shuma parash nga arka e një objekti kulti, vetëm një javë pasi kishte dalë nga burgu.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
GJIROKASTËR — Një 19-vjeçar është arrestuar në qytetin e Gjirokastrës, pasi dyshohet se ka vjedhur në dy raste shuma parash nga arka e një objekti kulti në lagjen «Partizani». Rasti është zbardhur në kuadër të operacionit të koduar «Arka», pasi administratori i institucionit fetar ka bërë kallëzim për ngjarjen pranë uniformave blu.
Sipas Policisë, vjedhjet janë kryer gjatë mbrëmjeve të datave 8 dhe 9 nëntor. Ajo që e bën më të veçantë ngjarjen është fakti se i riu me iniciale K. Ll., banues në Gjirokastër, kishte përfunduar vetëm një javë më parë dënimin e mëparshëm me burgim për veprën penale të vjedhjes.
Pas administrimit të shpejtë të kallëzimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore nëse i riu është autor edhe i vjedhjeve të tjera, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.