Gjakovë: Konfiskohen kokainë, armë automatike dhe para gjatë bastisjes
Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e një të dyshuari në Gjakovë, ku ka gjetur mbi një kilogram kokainë, armë dhe para të gatshme.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
GJAKOVË — Sektori Rajonal për Trafikim me Narkotikë ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjakovë për bastisjen e një shtëpie dhe objekteve përcjellëse të një të dyshuari të lindur më 2004. Gjatë kontrollit në pronën e tij, autoritetet kanë zbuluar dhe sekuestruar rreth 1009.35 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, si dhe 4.14 gramë marihuanë.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se gjatë operacionit janë konfiskuar edhe një armë automatike, një karikator me 24 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy karikatore me 20 fishekë të kalibrit PPU 32. Po ashtu, janë sekuestruar 1175 euro, 200 franga zvicerane, 1 dollar amerikan, 200 lekë, 100 rubla ruse, dy telefona iPhone, një peshore elektrike dhe një fletore me shënime të ndryshme.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i cili ka urdhëruar ndalimin policor të të dyshuarit prej 48 orësh. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.