Gjakova pranohet në Ligën e Qyteteve Historike gjatë konferencës në Japoni
Komuna e Gjakovës zyrtarizon anëtarësimin në Ligën e Qyteteve Historike gjatë Konferencës së 20-të Botërore në Himeji të Japonisë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
GJAKOVË — Komuna e Gjakovës është pranuar zyrtarisht si anëtare e re e Ligës së Qyteteve Historike, gjatë Konferencës së 20-të Botërore të Qyteteve Historike në Himeji të Japonisë. Delegacioni komunal, i përbërë nga kryetari Ardian Gjini, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Nita Efendia Brovina, si dhe udhëheqësja e Sektorit të Integrimeve Evropiane, Adea Hasi, mori pjesë në këtë ngjarje ku u nënshkrua edhe Deklarata e Himejit.
Gjatë punimeve të asamblesë, Gjini prezantoi historinë, kulturën dhe traditat e qytetit para përfaqësuesve ndërkombëtarë. Sipas njoftimit të komunës, ky anëtarësim dhe takimet me krerët e qyteteve japoneze hapin rrugë për zhvillimin ekonomik, turistik dhe kulturor, duke shërbyer gjithashtu për forcimin e pranisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Vizita zyrtare përfundoi në Kyoto, ku në darkën e organizuar nga kryetari vendës, kryetari gjakovar mbajti fjalën përmbyllëse në emër të delegacioneve dhe falënderoi për mbështetjen Ambasadën e Kosovës në Tokio, veçanërisht zëvendësshefin e misionit, Arbër Mehmeti.