Pse nis fushatë informuese për pasivizimin e adresave në Preshevë?

Shërbimi i Trupit Koordinues synon informimin e qytetarëve për procedurën e pasivizimit të adresave në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

Pse nis fushatë informuese për pasivizimin e adresave në Preshevë?
Foto: Preševo / Wikimedia Commons

Shërbimi i Koordinacionit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ka nisur një fushatë informuese lidhur me procedurën e pasivizimit të adresave, me synim informimin në kohë, objektiv dhe transparent të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe procedurat ligjore në fuqi. Kjo nismë bazohet në Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029, të cilin Qeveria e Serbisë e miratoi në mbledhjen e mbajtur më 28 maj 2026. Fushata zhvillohet në kuadër të masës 1.2 të Planit të Veprimit, e cila parasheh identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve që lidhen me mekanizmin e verifikimit të statusit të vendbanimit të pjesëtarëve të pakicave kombëtare.

Në kuadër të aktivitetit 1.2.1, Shërbimi i Koordinacionit të Trupit merr pjesë si partner në hartimin e hartës së procesit të pasivizimit të adresave, ndërsa përmes aktivitetit 1.2.2 është përgjegjës për përgatitjen e broshurave shumëgjuhëshe informuese mbi mekanizmin e pasivizimit të adresave dhe mjetet juridike që qytetarët kanë në dispozicion. Kjo fushatë vjen pas shtimit të ankesave të përfaqësuesve të pakicës kombëtare shqiptare lidhur me procedurën e pasivizimit të adresave të banimit në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Për këtë arsye, Shërbimi i Koordinacionit ka vlerësuar se është e nevojshme që qytetarëve t’u ofrohen informacione të qarta, të verifikuara dhe lehtësisht të qasshme, të bazuara në legjislacionin e Republikës së Serbisë.

Qëllimi i fushatës është që procedura e pasivizimit të adresave të paraqitet në mënyrë objektive dhe transparente, duke sqaruar paqartësitë dhe duke u mundësuar qytetarëve të mbrojnë në kohë të drejtat e tyre. Në kuadër të fushatës janë përgatitur broshura shumëgjuhëshe, postera dhe billborde, të cilat do të vendosen dhe shpërndahen në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Broshura shpjegon në mënyrë të thjeshtë procedurën e pasivizimit të adresës, kushtet në të cilat mund të ndodhë pasivizimi, pasojat e mundshme, procedurën për riregjistrimin e vendbanimit, përkatësisht rikthimin e adresës në status aktiv, si dhe mjetet juridike që qytetarët mund të përdorin për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Posterët do të vendosen në institucionet publike, ndërsa billbordet në lokacionet kryesore të tri komunave. Në to do të jetë i vendosur edhe një kod QR, i cili u mundëson qytetarëve të qasen drejtpërdrejt në versionin elektronik të broshurës dygjuhëshe. Në këtë mënyrë, sipas autoriteteve, qytetarët do të kenë qasje të shpejtë dhe të lehtë në të gjitha informacionet relevante mbi procedurën e pasivizimit të adresave, të drejtat e tyre dhe mjetet juridike që kanë në dispozicion.

Broshurat do t’u shpërndahen komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Këshillit Kombëtar Shqiptar, si dhe institucioneve publike në këto tri komuna. Versioni elektronik do të publikohet edhe në faqen zyrtare të Shërbimit të Koordinacionit të Trupit dhe në platformat e institucioneve të tjera kompetente. Shërbimi i Koordinacionit vlerëson se bëhet fjalë për një fushatë me interes të veçantë publik, e cila synon t’u mundësojë qytetarëve informim të plotë dhe në kohë për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të tyre. Sipas këtij institucioni, rëndësia e veçantë e fushatës qëndron në informimin e qytetarëve për pasojat që mund të sjellë pasivizimi i vendbanimit dhe mënyrat për mbrojtjen e të drejtave të tyre, me qëllim shmangien e pasojave negative në statusin juridik dhe në qasjen ndaj të drejtave dhe shërbimeve që u takojnë si qytetarë të Republikës së Serbisë.

Me realizimin e kësaj fushate, Shërbimi i Koordinacionit të Trupit thotë se po zbaton detyrimet e parashikuara në Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029, duke synuar rritjen e informimit të qytetarëve, transparencën e institucioneve dhe realizimin më efikas të të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Burim: Shërbimi i Koordinacionit të Trupit të Qeverisë së Republikës së Serbisë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përmes LuginaPress.
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Si reagon Avokati i Popullit pas posterëve në Krushevc?
  2. Çfarë bashkon dashamirësit e automobilizmit historik?
  3. Çfarë i ndodhi maturantëve të shkëlqyer në Plavë?
  4. Ku u zhvillua edicioni i parë i festivalit “Green & Blue Prespa”?

Vazhdo leximin