Gjuha shqipe, themel i identitetit kombëtar dhe garanci e barazisë shtetërore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
Shkrim mendimi nga Hisen Berisha.
Redaksia ZHURMA · · 5 min lexim
Shkrim mendimi nga Hisen Berisha. Pikëpamjet janë të autorit.
(Manastiri na kujton se pa gjuhë nuk ka identitet kombëtar. Ohri na kujton se pa barazi nuk ka shtet të qëndrueshëm. Pa barazi gjuhësore, nuk ka barazi shtetërore. Gjuha shqipe nuk mund të jetë temë e negociatave të përhershme.)
Kongresi i Manastirit nuk është vetëm një ngjarje historike që përkujtohet. Ai është një akt themeltar i vetëdijes sonë kombëtare, ndërsa gjuha shqipe mbetet një nga shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet identiteti, barazia dhe roli shtetformues i shqiptarëve, në Republiken e Maqedonisë së Veriut.
Sot, 118 vjet pas Kongresit të Manastirit të vitit 1908, përkujtimi i kësaj ngjarjeje në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të lexohet përtej ceremonive, fjalimeve dhe mesazheve simbolike plot hipokrizi protokollare. Ai duhet të shërbejë si referencë politike, kombëtare dhe kushtetuese për pozitën e shqiptarëve në këtë shtet.
Sepse çështja e gjuhës shqipe nuk është thjesht çështje e përdorimit të një gjuhe, e një simbolike kulturore apo e respektimit të një tradite. Është çështje e barazisë së qytetarëve, e dinjitetit kolektiv dhe e përmbajtjes reale të karakterit shumëetnik të këtij shteti që në esencë nuk mund ti ikë identitetit autentik historik.
Kongresi i Manastirit përcaktoi alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe dhe i dha një drejtim të unifikuar zhvillimit të saj kombëtar. Ishte një akt i vetëdijes politike dhe kulturore të shqiptarëve, në një kohë kur gjuha ishte një nga fushat kryesore të përballjes për identitet dhe ekzistencë kombëtare. Për demantimin e qasjes bismarkiane për shqiptaret si koncept pa identitet kombëtar.
Në një kontekst tjetër historik, por me rëndësi të ngjashme për pozitën e shqiptarëve, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 shënoi një pikë kthese në organizimin kushtetues dhe politik të Maqedonisë së Veriut. Ajo nuk ishte thjesht marrëveshje për përfundimin e konfliktit të armatosur. Ishte një marrëveshje për rikonceptimin e shtetit mbi parimet e barazisë, përfaqësimit të drejtë, decentralizimit dhe njohjes së të drejtave gjuhësore të komuniteteve.
Përmes ndryshimeve kushtetuese që pasuan, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe mori garanci kushtetuese dhe ligjore. Prandaj, Marrëveshja e Ohrit duhet kuptuar edhe si njohje e rolit politik dhe shtetformues të shqiptarëve në realitetin e ri kushtetues të vendit.
Këtu qëndron edhe lidhja thelbësore ndërmjet Manastirit dhe Ohrit. Në vitin 1908 shqiptarët luftonin për të drejtën e gjuhës së tyre si themel të identitetit kombëtar. Në vitin 2001, kjo e drejtë u bë pjesë e rikonfigurimit të marrëdhënieve kushtetuese dhe politike brenda shtetit ku shqiptarët autokton jetojnë si njëri prej popujve garantues të realitetit të tij shoqëror e politik.
Prandaj, çdo cenim i pozitës së gjuhës shqipe nuk është vetëm çështje gjuhësore. Ai prek drejtpërdrejt frymën, përmbajtjen dhe ekuilibrin mbi të cilin u ndërtua Marrëveshja e Ohrit.
Debatet e sotme në Maqedoninë e Veriut për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, interpretimet e dispozitave kushtetuese dhe përplasjet rreth përdorimit të shqipes në institucionet shtetërore tregojnë se çështja nuk është mbyllur me miratimin e ligjeve.
Nuk mund të ndërtohet një shtet me bashkëjetesë të qëndrueshme, duke e trajtuar gjuhën e një komuniteti të madh autokton që njësohet me autenticitetin etnogjenetik të territorit, si një të drejtë që herë pranohet e herë vihet në pikëpyetje, varësisht nga interpretimi politik i pushtetit të radhës.
Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje dhe as cenim të identitetit të komuniteteve tjera në maqedoni. Ata kërkojnë respektimin e barazisë kushtetuese, zbatimin e marrëveshjeve dhe ligjeve që kanë përcaktuar funksionimin e përbashkët të shtetit.
Maqedonia e Veriut nuk mund të pretendojë stabilitet dhe integrim evropian, ndërkohë që roli determinues i shqiptarëve të cenohet prej interpretimeve politike apo të shumicave parlamentare. Ohri është garanci e shtetit, jo një kompromis që mund të rishikohet sipas ambivieve politike.
Duhet kuptuar një e vërtetë themelore, se Marrëveshja e Ohrit nuk mund të trajtohet si dokument ndërkombëtar, që iu dha shqiptarëve vetëm disa të drejta administrative. Ajo doli si kompromis në mes armëve, përcaktoi një model të ri të funksionimit të shtetit, në të cilin shqiptarët nuk mund të trajtohen si komunitet periferik, por si faktor politik, kushtetues dhe shtetformues.
Prandaj, respektimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk është çështje vullneti të një qeverie, e as një koncesion që shumica e komuniteteve tjera kryesisht bullgar e tjerë në Maqedoni mund ta interpretojë apo ta kufizojë sipas interesave të ditës. Është detyrim politik, kushtetues dhe institucional.
Çdo përpjekje për ta relativizuar këtë marrëveshje, për ta dobësuar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe apo për ta zvogëluar përfaqësimin dhe vendimmarrjen e shqiptarëve duhet të vlerësohet në raport me pasojat që mund të prodhojë për ekuilibrin ndëretnik dhe stabilitetin e shtetit.
Shteti i Maqedonisë së Veriut nuk mund të ndërtohet kundër realitetit të vet historik e faktik shqiptar. Ekzistenca e tij si shtet demokratik, shumëetnik dhe funksional kërkon respektimin e barazisë dhe të rolit shtetëformues të shqiptarëve.
Në këtë kuptim, përvjetori i Kongresit të Manastirit duhet të jetë edhe një mesazh politik për të tashmen dhe të ardhmen, se gjuha shqipe nuk është vetëm trashëgimi e së kaluarës, por e drejtë kushtetuese, identitet kombëtar dhe garanci e faktoritetit shqiptar dhe të barazisë në shtetin e përbashkët.
Manastiri na kujton se pa gjuhë nuk ka identitet kombëtar. Ohri na kujton se pa barazi nuk ka shtet të qëndrueshëm.
Dhe pikërisht për këtë, 118-vjetori i Kongresit të Manastirit në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të jetë vetëm ditë përkujtimi, por ditë e ripohimit të një parimi themelor se,
Shqiptarët nuk janë rastësisht komb shtetformues të Maqedonisë së Veriut. Ata janë pjesë e qenësishme e realitetit të tij historik, politik dhe kushtetues. Respektimi i gjuhës, identitetit dhe të drejtave të shqiptarëve është kusht për barazinë, stabilitetin dhe të ardhmen e këtij shteti.
118 vjet nga Kongresi i Manastirit, na bën të ruajm nderim për ata që e njësuan alfabetin shqip dhe përgjegjësi për brezat që duhet ta mbrojnë gjuhën, identitetin dhe të drejtat tona.
Gëzuar Ditën e Alfabetit!
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar



