Sileni

Sileni, personazh i dëgjuar i mitologjisë greke, biri i Panit dhe i një nimfe, edukator i Dionizit. Perënditë zbaviteshin me të dhe shpeshherë e thërrisnin në mbledhjet e tyre. Poetët e paraqitnin në trajtën e një plaku tullac e zemërmirë, me shtat të vogël, por të trashë dhe barkalec, me veshë, bisht, nganjëherë dhe me brirë cjapi, me një shkop në dorë për t’u mbështetur, shpesh hipur mbi një gomar. Gjithmonë i dehur, ai shoqërohej zakonisht me satirët, të cilët e nderonin, e thërritnin baba të tyre dhe e ndihmonin në ato raste, kur ai, i dehur, pësonte ndonjë aksident. Ai donte muzikën, këngën dhe kishte aftësinë të parathoshte të ardhmen. Atij që arrinte ta kapte në gjumë e ta lidhte, i zbulonte sekrete të rëndësishme dhe i tregonte histori të çuditshme. Sileni qëndronte gjithnjë atje ku kishte verë të mirë. Frigjianët, kur deshën ta kapnin dhe ta çonin te mbreti i tyre Midas, derdhën verë në një burim. Atëherë Sileni e ndjeu erën dhe pranoi të shkonte. Janë ruajtur shumë paraqitje antike të Silenit. Më i njohur është grupi prej mermeri që paraqit Silenin të dehur me Dionizin foshnjë në duar (ndodhet në Luvër). Figura e Silenit ndeshet edhe në artin e kohës së re.

Shih edhe

Përmendet te