Midasi
Midasi, mbret legjendar i Frigjisë, i dëgjuar për pasuritë e tij. Sipas traditës që është më e njohur, ai ishte biri i Cibelës. Ai
përhapi në vendin e vet kultin e Dionizit. Për ta shpërblyer perëndia i premtoi atij se do t’i plotësonte çdo gjë që do të kërkonte. Midasi kërkoi që çdo gjë që të prekte të shndërrohej në ar. Por aty nga fundi i ditës ai u pendua për këtë dëshirë të marrë, sepse ushqimet kur afroheshin në buzët e tij shndërroheshin në ar dhe ai rrezikohej të vdiste nga uria në mes të pasurisë së madhe. I prekur nga vuajtjet e tij, Dionizi e këshilloi të lahej në ujërat e Patoklit (lumë në Lidi). Midasi u bind dhe shpëtoi nga ky privilegj i rrezikshëm. Që atëherë ujërat ë Patoklit u pasuruan me rërë ari. Sipas një legjende tjetër, Midasi u zgjodh si arbitër në një konkurs midis Apolonit që i binte lirës dhe Panit (sipas një varianti tjetër Marsiasit) që i binte fyellit. Ai vendosi t’i jepte çmimin e parë Panit. Apoloni u hakmor duke i vënë veshë gomari. I shushatur, Midasi u përpoq t’i fshihte veshët e tij në një kësulë frigjiane, por ia pa berberi i vet, i cili në fillim, nga frika, u betua se nuk do ta shpallte ketë sekret, por më vonë, duke mos duruar dot, ai hapi një vrimë në tokë dhe pëshpëriti me zë të ulët se Midasi kishte veshë gomari. Pastaj e mbylli vrimën për të varrosur sekretin e tij dhe u largua. Disa kohë më vonë, në këtë vend dolën trëndafila, që, kur era i lëvizte, pëshpërisnin: «Midasi, mbreti Midas, ka veshë gomari», duke ua treguar sekretin gjithë botës. Sipas legjendës, Midasi vrau veten. Shprehja «berberi i Midasit» do të thotë njeri që s’di ta mbajë sekretin, llafazan.