Semiramida

Semiramida (Semiramis), heroinë asiriane, vajza e hyjneshës së dashurisë dhe pllenimit, Derketo, e cila e hodhi foshnjën në një shkretëtirë. Vajzën e ushqyen pëllumbat që e vidhnin qumështin te barinjtë fqinjë. Kur u rrit, ajo tërhoqi vëmenden e të gjithëve për bukurinë dhe mençurinë e saj. Semiramida u martua me këshilltarin e mbretit Nin Onesin (Oniosin), të cilin e ndihmonte me këshillat e saj. Kështu, kur Nini nënshtroi Baktrinë, Semiramida, në krye të një ushtrie, pushtoi kryeqytetin e baktrianëve. I mahnitur nga bukuria, mençuria dhe nga trimëria e Semiramidës,

F JALOR I MITOLOGJISË

Nini donte t’ia merrte Semiramidën të shoqit, duke e kërcënuar me vdekje. I dëshpëruar Onesi u var. Semiramida u martua për herë të dytë me mbretin dhe pati me të një djalë, Niniun. Kur Nini vdiq (sipas një varianti tjetër, Nini u vra nga Semiramida), Semiramida trashëgoi fronin. Mbasi u bë sundimtare e vetme e mbretërisë asiriane, ajo themeloi në brigjet e Eufratit qytetin më të bukur e më të dëgjuar të Lindjes, Babilonin, të cilin ajo e rrethoi me fortifikime, e zbukuroi me pallate madhështore dhe me kopshte të bukura. Pas kësaj ajo filloi pushtimet në Azi, duke nënshtruar Persinë, Armeninë, Arabinë, etj., vende këto që ishin nënshtruar nga Nini, por që me kohë kishin fituar përsëri pavarësinë e tyre. Ajo bashkoi Egjiptin, Libinë dhe të gjithë Azinë, deri në Indi, ku ajo pësoi disfatë. Autorët e vjetër tregojnë me hollësi të gjitha rrethanat e fitoreve të saj, por tregimet e tyre janë shumë kontradiktore. Traditat e ngatërruara lidhur me Semiramidën, dëshmojnë për një epokë, në të cilën mbretëria e Asirisë kishte arritur zhvillimin e saj më të madh politik dhe ka të ngjarë që personazhit të Semiramidës i veshin ngjarje që u përkasin shumë mbretërve.

Shih edhe

Përmendet te