Robigu

Robigu (Robigo, Rubigo), hyjni që personifikonte ndryshkun; sëmundjen që prek drithërat. Për nder të saj bëheshin festa, në të cilat i luteshin hyjnisë që të largonte ndryshkun nga drithi. Këto festa, që ishin themeluar nga Numa Pompili, organizoheshin në 25 prill. Hyjnitë i thernin një buçe të kuqe, një dele dhe i blatonin verë.

Romuli, themelues mitik, eponim dhe mbret i parë i Romës. Ishte biri i Rea Silvias dhe i Marsit, vëlla binjak i Remit. Sipas legjendës, në qytetin e Alba Longës mbretëronte Numitori, por ky u shfronësua nga vëllai i vogël, Amuli, i cili sundoi vetë, kurse vajzën e Numitorit, Rea Silvian, e dorëzoi vestale. Vestalet ishin priftëreshat e hyjneshës Vesta, që ishin betuar të mbeteshin virgjëresha. Por Rea Silvia lindi me Marsin dy binjakë. Që të çlirohej prej tyre, mbreti urdhëroi t’i hidhnin foshnjat bashkë me nënën e tyre në lumin Tiber. Vëllezërit binjakë për çudi shpëtuan. Vala i hodhi në breg dhe ata nuk vdiqën nga uria, sepse i ushqeu një ujkonjë. Pas pak kohe fëmijët i gjeti bariu i mbretit, Faustuli. Ai i solli ata në shtëpi dhe ia dha gruas së vet, Aka Larencias. Binjakët u quajtën Romul dhe Rem. Kur u rritën, ata mësuan për origjinën e tyre, vranë Amulin dhe vunë në fron gjyshin e tyre. Vetë ata nuk deshën të qëndronin në Alba Longa dhe vendosën të themelonin një qytet në atë vend

ku i kishte gjetur ujkonja. Gjatë ndërtimit të qytetit të dy vëllezërit u zunë dhe Romuli e vrau Remin. Në tregimet mbi Romulin përmenden shpesh sabinat. Legjenda tregon se, pas themelimit të Romës, romakët kishin nevojë për gra, por meqë fqinjët nuk donin t’i martonin gratë e tyre me kusarët romakë, Romuli vendosi atëherë të përdorte mashtrimin. Në qytet organizuan një festë, në të cilën ftuan fqinjët. Erdhën shumë banorë të qyteteve përreth, ndër të cilët i gjithë populli sabin me gra e fëmijë. Në flakën e festës të rinjtë romakë u vërsulën mbi vajzat dhe i rrëmbyen. Të frikësuar dhe të fyer, prindërit ikën, duke u ankuar për shkeljen e ligjit të mikpritjes dhe, për këtë filloi lufta. Veçanërisht e ashpër qe lufta me sabinët. Megjithatë, gratë sabine kishin arritur të mësoheshin me burrat e tyre dhe, kur filloi beteja vendimtare, ato u vërsulën midis rreshtave ndërluftuese dhe bënë pajtimin. Sipas legjendës, Romuli i gjallë u ngrit në qiell dhe adhurohej nga romakët me emrin e perëndisë Kuirin. Në artin romak paraqiteshin shpesh episodet e jetës së Romulit si ulkonja, rrëmbimi i sabinave, apoteoza e Romulit etj.

Shih edhe