Vestalet
Vestalet, priftëresha të hyjneshës Vesta në Romë. Kolegjiumi i vestaleve ishte themeluar nga Numa Pompili. Në fillim vestalet zgjidheshin nga mbreti, më vonë nga pontifiku. Ato duhet të ishin nga familjet e para të Romës dhe nuk duhej të kishin asnjë të metë trupore. Detyra e tyre kryesore ishte të ruanin tempullin e Vestës dhe të mbanin ndezur zjarrin e shenjtë të hyjneshës. Ato dorëzoheshin vestale që në moshën 9 ose 10 vjeç dhe shërbimi i tyre vazhdonte 30 vjet. Gjatë kësaj kohe ato premtonin se nuk do të martoheshin dhe do të ruanin dëlirësinë e tyre. Ajo që shkelte premtimin e dëlirësisë ose e linte zjarrin të shuhej, dënohej me vdekje. Vestalen e kallnin të gjallë në dhe. Por vestalet gëzonin një respekt të madh. Nga të gjitha gratë romake, vetëm ato gëzonin të drejtën të kishin pasuri. Konsujt romakë përuleshin përpara tyre kur i takonin. Ato kishin gjithashtu të drejtën e faljes. Në qoftë se një vestale takonte rrugës një kriminel që e çonin në vendin e ekzekutimit, ajo i shpëtonte atij jetën, pasi të jepte siguri se takimi qe i rastit. Kushdo që fyente vestalet dënohej me vdekje. Ato kishin një vend nderi në të gjitha shfaqjet. Në fillim ishin 4 vestale, më vonë numri i tyre arriti në gjashtë. Gjatë dhjetë vjetëve të para ato mësonin detyrën e tyre, gjatë dhjetë vjetëve vijuese e ushtronin këtë detyrë, ndërsa gjatë dhjetë vjetëve të fundit mësonin të tjerat. Mbasi kalonin tridhjetë vjet, ato bëheshin të lira dhe mund të martoheshin, por ato shumë rrallë e përdornin këtë privilegj, që u jepej atyre vonë. Shumë prej tyre preferonin ta kalonin fundin e jetës atje ku kishte kaluar pranvera e tyre dhe zakonisht ato bëheshin udhëheqëse për nxënëset e reja. Kolegjiumi i vestaleve ekzistoi deri në vitin 389 p. e. s., kur u prish nga perandori Teodos.