Marsiasi
Marsiasi, muzikant i dëgjuar, biri i Meandrit. Ai paraqitej herë si fshatar, herë si shok i Dionizit, ose si hyjni e një lumi të Frigjisë me të njëjtin emër. Legjenda për Marsiasin ka të bëjë me origjinën e muzikës.
Një herë, duke u endur fushave të Frigjisë, Marsiasi gjeti një fyell prej kallami, që e kishte hedhur hyjnesha Atena, e cila nuk donte t’i binte, sepse ia shëmtonte fytyrën e bukur. Atena mallkoi edhe atë që do ta merrte këtë fyell. Duke mos ditur mallkimin e hyjneshës, Marsiasi e mori fyellin dhe shpejt mësoi t’i binte atij aq bukur, saqë të gjithë e dëgjonin me ëndje. Marsiasi filloi të mburrej dhe ftoi edhe vetë mbrojtësin e muzikës, Apolonin, për të konkurruar. Apoloni pranoi dhe u paraqit me lirën e tij të artë në duar. Ai nxori nga lira e tij tinguj të mahnitshëm, të cilët nuk mund t’i nxirrte Marsiasi me fyellin e tij, dhe e fitoi garën. I zemëruar për sfidën, Apoloni urdhëroi që Marsiasin ta varnin pas një peme dhe t’i rripnin lëkurën, të cilën e varën në një shpellë. Tregonin se lëkura gjithmonë fillonte të dridhej, kur në shpellë arrinin tingujt e fyellit frigjian prej kallami dhe qëndronte e palëvizshme kur përhapeshin tingujt madhështorë të lirës. Legjenda pasqyron konfliktin për zgjedhjen midis fyellit, instrumentit frymor me origjinë të huaj, dhe lirës (kitarës), instrumentit grek me tela, që u zgjidh në favor të këtij të fundit. Megjithatë artistët e antikitetit shpesh frymëzoheshin nga figura e Marsiasit dhe fyelli filloi të hynte midis instrumenteve muzikore greke.