Miloni

Miloni, atlet gjysmëlegjendar nga Krotona e Sicilisë (shekulli VI para es.). Ai doli gjashtë herë fitues në lojërat olimpike, shtatë herë në lojërat pitike dhe dhjetë herë në lojërat istmike. Thonë se ai e lidhte kokën me një litar, pastaj ndalonte frymëmarrjen. Gjaku që kalonte në ballë ia frynte aq shumë damarët, saqë litari këputej. Një ditë, kur ishte duke dëgjuar leksionet e Pitagorës, u thye shtylla që mbante tavanin e sallës. Miloni e kapi shtyllën, e mbajti drejt dhe u dha kohë të gjithëve që të shpëtonin, pastaj shpëtoi edhe vetë duke e lënë tavanin të bjerë. Një ditë tjetër ai i ra stadiumit rreth e qark, duke mbajtur mbi shpatulla një dem 4 vjeçar. Ai e vrau demin me një të goditur të grushtit dhe e hëngri brenda një dite. Tregojnë se në pleqëri ai donte të çante me duar një trung peme gjysmë të hapur, por mosha ia kishte shterur forcat. Të dyja pjesët e trungut u bashkuan dhe ia kapën duart Milonit, të cilin më vonë e gëlltitën kafshët e egra.