Dyfishohen rastet e dhunës në familje në rajonin e Ferizajt gjatë tetorit
Numri i rasteve të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt është dyfishuar gjatë muajit tetor 2026, krahasuar me vitin paraprak.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
FERIZAJ — Numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt është dyfishuar gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar një rritje prej 100 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas raportit të Drejtorisë Rajonale të Policisë, gjatë tetorit të këtij viti janë regjistruar gjithsej 38 raste, ndërsa në tetorin e vitit 2025 ishin regjistruar 19 raste.
Nga shifrat e këtij viti, 23 raste kanë ndodhur në Ferizaj, 12 në Kaçanik, dy në Shtime dhe një në Shtërpcë. Në krahasim me vitin paraprak, gjatë tetorit 2025 ishin shënuar 12 raste në Ferizaj, tri në Kaçanik, dy në Shtërpcë, një në Shtime dhe një në Han të Elezit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë një sërë masash dhe fushata vetëdijësuese për parandalimin e këtij fenomeni. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë rastet në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, si dhe në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, duke garantuar konfidencialitet të plotë të të dhënave.