Zhurma Press E Martë · 08 Shtator 2026 — Prishtinë · Tiranë · Shkup · Diaspora Treguesi Kërko Ruajtur · 0 Abonohu falas
LIVE · 16:40 60+ burime · klasifikim automatik · mbikëqyrje redaksionale
E fundit Edicioni 13:00 · Dreka
ZHURMA
Kronikë e zezë KOS

Ndalohen dy zyrtare dhe një biznesmen për ryshfet me lejeqëndrime

Operacioni i Policisë dhe AKI-së u zhvillua më 22 korrik; tre të dyshuarit shkuan në ndalim 48-orësh, ndërsa e katërta u lirua.

Redaksia ZHURMA 09:55 Përditësuar 16:14 1 min lexim
Ndalohen dy zyrtare dhe një biznesmen për ryshfet me lejeqëndrime
FOTO · Foto: Pixabay Arkivi ZHURMA

PRISHTINË — Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinën e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka goditur një skemë të dyshuar korruptive për rregullimin e lejeqëndrimeve për shtetas të huaj. Hetimi disa mujor përfundoi më 22 korrik me ndalimin e tre personave.

Në pranga kanë përfunduar Gylsen Jahiri, rreth 51-vjeç, zyrtare në Drejtorinë për Shtetësi, Azil dhe Migrim, përgjegjëse për pranimin e dokumenteve të shtetasve të huaj. Jahiri dyshohet se keqpërdoroi pozitën për të shmangur procedurat ligjore dhe për përfitime personale. Ndaj saj rëndojnë dyshimet për keqpërdorim të autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti dhe falsifikim dokumenti.

Fatma Shufta, rreth 47-vjeç, punëtore në Agjencinën për Regjistrim Civil (ARC) dhe motra e Jahirit, dyshohet se shfrytëzoi pozitën dhe lidhjet familjare për të mundësuar pajisjen e shtetasve të huaj me lejeqëndrim jashtë procedurave ligjore, me qëllim përfitimin financiar.

Dervis Keleci, rreth 38-vjeç, pronar i një biznesi me numër të madh punëtorësh të huaj, dyshohet se ka falsifikuar dokumentacionin e aplikantëve dhe ka dhënë ryshfet për të siguruar lejeqëndrime në kundërshtim me ligjin.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, Jahiri, Shufta dhe Keleci u dërguan në ndalim 48-orësh, ndërsa Elvire Krasniqi Qerka, e proceduar në të njëjtin rast, u lirua në procedurë të rregullt. Gjatë operacionit u sekuestruan prova të shumta materiale dhe elektronike. Hetimet vazhdojnë, nën koordinimin e Sektorit të Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare dhe Prokurorisë, për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në skemën e dyshuar.

Burim: Sinjali
— Redaksia ZHURMA

Komentet