Çfarë ndodhi me Fatmir dhe Korab Visokën?
Dy persona dyshohen për kontrabandë me derivate të naftës dhe pastrim parash, pas një skeme që funksionon që nga viti 2023
— Dy persona të tjerë kanë përfunduar në ndalim në kuadër të hetimeve për një skemë të dyshuar të kontrabandës me derivate të naftës dhe pastrimit të parave, raporton Sinjali. Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Fatmir Visokën, rreth 63-vjeçar dhe Korab Visokën, rrreth 35-vjeçar, të cilët u intervistuan sot nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas burimeve të Sinjalit, ata dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Kontrabandë e mallrave” dhe “Shpëlarja e parave”. Hetimet lidhen me një skemë që dyshohet se ka funksionuar që nga viti 2023, përmes së cilës janë kontrabanduar derivate të naftës, janë paraqitur dokumente të rreme lidhur me detyrimet tatimore dhe janë realizuar shitje e transaksione fiktive për të fshehur origjinën e mjeteve financiare.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar edhe dy telefona mobilë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në kuadër të hetimit.
Ky zhvillim vjen si vazhdim i aksionit të gjerë të zhvilluar më 1 korrik, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit të dyshuar kriminal janë ende në vazhdim.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Burim: Sinjali, https://sinjali.com/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.