Pse u largua Deschamps nga drejtimi i Francës?
Tekniku francez Didier Deschamps zyrtarizohet pas 14 vite në drejtim, duke i dhënë fund epokës së tij në stolin e 'Gjelave'
Didier Deschamps ka zyrtarizuar largimin nga drejtimi i kombëtares franceze, duke i dhënë fund një epoke 14-vjeçare në stolin e “Gjelave”. Deschamps, i cili mori drejtimin e Francës në vitin 2012, largohet pas një periudhe të artë, ku arriti të rikthejë “Gjelat” në majën e futbollit botëror. Nën drejtimin e tij, Franca fitoi Kupën e Botës dhe luajti disa finale të turneve më të rëndësishme ndërkombëtare.
Trajneri francez do të zhvillojë ndeshjen e fundit ndaj Anglisë, sfidë që vlen për vendin e tretë, pas eliminimit të të dyja skuadrave në gjysmëfinalet e Botërorit.
“E di se nesër do të ulet perdja. Askush nuk do të qajë këtu, por kombëtarja franceze do të më mungojë. Kam pasur privilegjin të përjetoj për 14 vite momente magjike, por edhe të vështira”, u shpreh Deschamps. Tekniku francez theksoi se për të kombëtarja ka qenë përvoja më e madhe sportive e jetës së tij, duke kujtuar se lidhja me përfaqësuesen zgjat prej 25 vitesh, fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner.
Pavarësisht largimit, Deschamps kërkoi përqendrim maksimal për sfidën e fundit ndaj Anglisë, duke nënvizuar përgjegjësinë që kanë lojtarët ndaj tifozëve francezë. “Kur je pjesë e kombëtares franceze ke përgjegjësi. Do të bëjmë gjithçka që ndeshja të përfundojë sa më mirë, sepse kemi një detyrim ndaj miliona francezëve”, deklaroi ai.
Pas largimit të Deschamps, emri më i përfolur për të marrë drejtimin e Francës është ai i Zinedine Zidane. Ish-kapiteni i “Gjelave” dhe trajneri i suksesshëm i Real Madridit pritet të jetë pasuesi i tij, me marrëveshjen që raportohet se është shumë pranë finalizimit.
Burim: Ora News, https://www.oranews.tv/sport/deschamps-mbyll-epokn-n-franc-14-vite-ne-stolin-e-gjelave-zidane-pritet-te-i1337399
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.