Debat mbi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale
Ministri i Drejtësisë thotë se ndryshimet lidhen me paraburgimin, ndërsa opozita kritikon qeverinë për ndërhyrje që cenojnë SPAK-un.
Ndryshimet e paralajmëruara në Kodin e Procedurës Penale kanë sjellë reagime dhe debate të ashpra mes përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se ndryshimet e pritshme në këtë kod, veçanërisht ato që lidhen me paraburgimin, nuk kanë të bëjnë aspak me veprimtarinë hetimore të Prokurorisë së Posaçme, por me nevojën për përafrimin e standardeve shqiptare me ato europiane. I ftuar në televizion, ai theksoi se këto ndryshime janë diktuar nga jurisprudenca shqiptare dhe problematikat e evidentuara prej vitesh lidhur me numrin dhe kohëzgjatjen e paraburgimeve në sistemin penitenciar.
Gogu solli në vëmendje se ky problem është konstatuar prej kohësh nga shoqëria shqiptare dhe institucionet vendase e ndërkombëtare, duke përmendur raportet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Avokatit të Popullit dhe Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës, të cilat sipas tij e kanë ngritur këtë çështje që prej vitit 2006. Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, në sistemin penitenciar ndodhen rreth 2210 persona në paraburgim, shifër kjo që përbën 56 për qind të të dënuarve dhe të paraburgosurve në sistem, ndërsa rreth 1900 prej tyre ende nuk kanë një vendim nga gjykata e shkallës së parë. Ministri shtoi se reforma nuk prek veprat penale, masat e dënimit apo mjetet dhe afatet hetimore.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e cila kritikoi propozimet e qeverisë gjatë mbledhjes së komisionit, paralajmëroi se ndërhyrjet e propozuara cenojnë parimet e reformës në drejtësi, hapësirën e Prokurorisë së Posaçme për të hetuar korrupsionin dhe lirinë e gazetarëve për të investiguar. Sipas saj, këto propozime prekin rreth 20 deri në 25 për qind të Kodit dhe bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e miratuara në kuadër të reformës, duke kërkuar që çdo ndryshim të udhëhiqet nga kërkesat e procesit të integrimit europian dhe angazhimet për kapitujt 23 dhe 24.
Tabaku ngriti gjithashtu shqetësimin për konfliktin e interesit të ekzekutivit në hartimin e këtyre nismave dhe ndikimin e tyre te gazetaria investigative. Ajo theksoi se mbrojtja e të drejtave të personave nën hetim, të pandehurve dhe të burgosurve është detyrë e komisionit që ajo drejton, i cili ka nisur vizita vëzhguese në burgjet e vendit, duke kërkuar njëkohësisht zbatinimin e standardeve për të gjithë qytetarët.