Çfarë po ndodh me tenderin 8-milionësh të Ministrisë së Bujqësisë?
Ndërtimi i objektit të ri ka përfunduar sërish në OSHP pas ankesës së kompanisë 'BM Group' kundër kontratës 7-milionëshe të dhënë për 'R&Rukolli'.
PRISHTINË — Tenderi për ndërtimin e objektit të ri të Ministrisë së Bujqësisë ka përfunduar sërish në OSHP nën dyshime për shkelje ligjore. Kjo vjen pasi ministria në fund të majit vendosi të shpërblejë me kontratë kompaninë "R&Rukolli" në vlerë mbi 7 milionë euro.
Shpallja e saj fituese pasoi vendimin për rivlerësim nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së. Fillimisht, autoriteti kontraktues kishte konstatuar se oferta e kompanisë nuk ishte në përputhje me kërkesat e dosjes së tenderit, por më pas organi shqyrtues e vlerësoi atë si të përgjegjshme.
Me këtë vendim nuk është pajtuar operatori "BM Group", i cili ishte rekomanduar fillimisht për kontratë. Kjo kompani ka deponuar ankesë zyrtare në OSHP me pretendime për eliminim të padrejtë, edhe pse oferta e saj ishte për rreth 400 mijë euro më e lartë se e fituesit.
Në ankesën e saj, "BM Group" pretendon se dosja e tenderit kërkonte specifikisht angazhimin e një fasaderi dhe moleri. Sipas tyre, kompania fituese ka paraqitur dy persona të ndryshëm për këtë pozicion, duke shkelur nenin 7 të Ligjit të Prokurimit Publik për trajtim të barabartë.
Por, Paneli Shqyrtues në vendimin e tij kishte konstatuar se angazhimi i dy personave është një barrë që i takon operatorit ekonomik e jo autoritetit kontraktues. Organi i prokurimit vlerësoi se kjo nuk paraqet ndonjë problem teknik që mund të çonte në sanksionimin apo s'kualifikimin e tyre.
Pretendimi tjetër i ankesës së "BM Group" lidhet me mungesën e një plani dinamik të përshtatshëm. Mirëpo, OSHP-ja e hodhi poshtë këtë duke konfirmuar se plani i dorëzuar me ndarje sipas katër fazave kryesore i përmbush të gjitha kriteret minimale të përcaktuara në dosjen e tenderit.
Këto ankesa të vazhdueshme kanë zvarritur nisjen e projektit prej 8 milionë eurosh, ku 13 nga 14 kompani u shpallën të papërgjegjshme. Si rrjedhojë, ministria do të vazhdojë të qëndrojë me qira, duke shpenzuar mbi 3.4 milionë euro për këtë qëllim që nga viti 2019.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.