Ministri Blerim Gashani ndan 70,500 euro për medalistët e Taranto 2026
Ministria e Sportit dhe Rinisë ka miratuar mbështetjen financiare për sportistët dhe trajnerët kosovarë pas suksesit në Lojërat Mesdhetare.
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka miratuar një mbështetje financiare të njëhershme në vlerë të përgjithshme prej 70,500 eurosh për sportistët dhe trajnerët e Republikës së Kosovës. Kjo ndihmë vjen në bazë të rezultateve dhe medaljeve të fituara në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, si një formë vlerësimi për kontributin dhe përfaqësimin e vendit në garat ndërkombëtare.
Sipas skemës së miratuar dhe njoftimit të bërë përmes një postimi në Facebook nga ministri Gashani, shpërblimet janë përcaktuar në varësi të llojit të medaljes. Për medaljen e artë janë paraparë 10,000 euro për sportistin dhe 5,000 euro për trajnerin. Për medaljen e argjendtë fituesit do të përfitojnë 5,000 euro për sportistin dhe 2,500 euro për trajnerin, ndërsa për medaljen e bronztë shuma është caktuar në 3,000 euro për sportistin dhe 1,500 euro për trajnerin.
Ministria e Sportit dhe Rinisë ka bërë të ditur se ky fond synon të vlerësojë punën, disiplinën dhe rezultatet e arritur nga përfaqësuesit e Kosovës. Gashani ka theksuar se pas çdo medaljeje qëndron përkushtimi i madh që i sjell krenari vendit, duke shtuar se në detyrën e tij do të vijojë të angazhohet që arritjet e sportistëve të përkrahen vazhdimisht nga institucionet. Në njoftim theksohet gjithashtu se ky institucion do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin e sportit në vend, me synim krijimin e kushteve të përshtatshme për arritjen e rezultateve të reja në të ardhmen. Në fund, ministria u ka uruar sportistëve dhe trajnerëve për rezultatet e arritur dhe suksese të mëtejshme.