kosove mjedis

Çfarë po kërkojnë banorët e Prishtinës nga Komuna për mbeturinat?

Pse kundërmimi e ndotja po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve në kryeqytet?

Çfarë po kërkojnë banorët e Prishtinës nga Komuna për mbeturinat?
Foto: Joerg Hartmann / Pexels

PRISHTINË — Mbeturina jashtë kontejnerëve ka pothuajse në shumicën e vendeve ku janë të vendosura pikat e grumbullimit në Prishtinë. Qytetarët ankohen për kundërmimin si pasojë e mospastrimit të rrugëve e trotuareve, por edhe për mosgrumbullimin e tyre me rregull. Mbeturinat e grumbulluara në hapësira publike dhe mungesa e mirëmbajtjes po i shqetësojnë banorët e kryeqytetit, të cilët thonë se kundërmimi, ndotja dhe kushtet jo të mira higjienike po e rrezikojnë shëndetin e tyre dhe po e vështirësojnë lëvizjen e përditshme. Ata kanë kërkuar më shumë angazhim nga institucionet.

"Këto mbetje i marrin, por ajo që mbetet aty lihet. Ka shumë mbeturina. I kanë larguar disa prej tyre, sepse ka pasur kauçë dhe gjëra të tjera, por prapë na pengojnë. Nuk kemi çka të bëjmë. Jo vetëm ato te kontejnerët ku i hedhim mbeturinat", ka thënë Zarife Qerkini, banore.

Edhe nënkalimi afër shkollës "Dardania" kundërmon nga mbeturinat, ndërsa çdo ditë kalojnë shumë fëmijë. Bejtush Kiqmari e Ragim Hoxhaj thonë se gjendja është e dëmshme për shëndetin. Kiqmari shprehet se "qarkullojmë çdo ditë këndej tri-katër herë. Është bërë shumë e padurueshme kjo gjendje. Në nivel të Kosovës na kanë mbuluar mbeturinat, por në këtë vend i vërejmë më shumë. Mundem me thanë se para tri javësh e ka pastruar dikush, ndoshta kompania e pastrimit, por menjëherë grumbullohen prapë. Është papërgjegjësi edhe e qytetarëve, por edhe e atyre që nuk po e mirëmbajnë siç duhet. Shumë e pashëndetshme. Vajza ime kalon këtu dy herë në ditë. Ka mbeturina, ndotje, jashtëqitje. Është tepër e dëmshme".

Hoxhaj shton: "Është një ambient që e frekuentoj çdo ditë. Është mjaft i neveritshëm. Përpos që kundërmon erë, është ambient edhe jo i pastër".

Probleme të ngjashme ka edhe në rrugën "Muhamet Çami", ku banori Sejdi Hajdini thotë se grumbullimi bëhet shumë rrallë. Ai thekson se "gjendja me mbeturina është edhe ashtu. Atje grumbullohen shumë, edhe këtu prapa rrugës, por problemi më i madh është në mbrëmje me vetura e motorë; aq shumë japin gaz sa fëmijët i zgjojnë nga gjumi. Nganjëherë edhe e pastrojnë, por rrallë", duke i bërë thirrje komunës që të marrë masa.

KOHA ka dërguar pyetje te drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, por të martën nuk ka marrë përgjigje. Heshtja e institucionit lë banorët pa adresë për një problem që po i rrezikon shëndetin çdo ditë.

Burim: Koha.net, Elda Islami, 16 qershor 2026
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Arta Jashari sjell "Arie di Libertà" me pianistin italian Roverelli
  2. Sa e fortë është PDK-ja në diasporë me 80% të votave me postë të numëruara?
  3. QKUK i la pa ecje 800 kosovarë, 6 vjet në pritje për protezë gjuri
  4. Çfarë ndodhi me plumbin qorr në rrugën Meto Bajraktari?

Vazhdo leximin