Pse synon Banka e Shqipërisë t'i japë guvernatorit imunitet?
Ekspertët thonë se projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë mund të krijojë një kështjellë politike
— Përmes një projektligji të ri, Banka e Shqipërisë synon që t'i japë guvernatorit dhe zv.guvernatorëve imunitet të shtuar ndaj masave të arrestit, që sipas ekspertëve të ligjit dhe të ekonomisë përbën një nonsens juridik dhe mburojë ndaj llogaridhënies.
Një projektligj i ri për Bankën e Shqipërisë, i hartuar për të përafruar legjislacionin vendas me atë të Bashkimit Evropian, ka tejkaluar qëllimin e tij duke ofruar një mburojë penale për drejtuesit e institucionit përmes forcimit të imunitetit përballë ndjekjes penale dhe masave të arrestit.
Shqetësimi kryesor lidhet me nenin 72 të projektligjit, i cili ndalon çdo formë arrestimi apo kontrolli personal e të banesës për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe zv. guvernatorët pa marrë më parë një autorizim nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas draftit, nëse kjo e fundit nuk shprehet brenda dy javësh, kërkesa e prokurorisë konsiderohet e refuzuar.
Edhe pse në relacionin shoqërues theksohet vazhdimisht se këto ndryshime bëhen në kuadër të përafrimit me “acquis communautaire” të Bashkimit Evropian, ekspertët e ekonomisë dhe juristët ngrenë alarmin se po krijohet “një kështjellë politike” që e vendos Bankën e Shqipërisë mbi drejtësinë dhe ligjet e transparencës kombëtare.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, e analizon këtë kërkesë si një përpjekje për t’u mbrojtur nga llogaridhënia, e cila kamuflohet sipas tij me përafrimin e legjislacionit me BE-në.
Preçi e sheh këtë përpjekje në të njëjtën linjë me frymën e qeverisë për të forcuar imunitetin pas rastit “Balluku”, e cila qarkulloi një listë me funksione të larta që nuk prekeshin nga pezullimi nga detyra, përfshirë edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
“Alibia e përafrimit të legjislacionit nuk funksionon në këtë rast,” tha Preçi, duke sjellë në vëmendje një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mbi guvernatorin e Bankës së Letonisë, arrestimi i të cilit u la në fuqi pavarësisht kontestimit nga Banka Qendrore Europiane.
Ngritja e Gjykatës Kushtetuese si “filtër” për veprimet e prokurorisë ngre pikëpyetje thelbësore të procedurës penale edhe për juristët.
Pas informimit mbi projektligjin, juristi Ervin Metalla vëren një kontradiktë të hapur në këtë përpjekje.
“Unë nuk besoj se nevoja për pavarësi e justifikon këtë mbrojtje të shtuar, sa kohë është gjykata në çdo rast ajo që do caktojë masën.
Jo vetëm kaq, por duket se vendimin për arrestimin e jep Gjykata Kushtetuese, gjë që bën nonsens,” tha Metalla për BIRN.
Ai mendon gjithashtu se ky parashikim në projektligjin për Bankën e Shqipërisë merr shkas nga ngjarje konkrete të ndodhura në Shqipëri, por që janë verifikuar në shkallët e gjyqësorit.
“…Frika për ‘gabimin’ e ndonjë gjyqtari nuk mendoj se duhet zgjidhur në këtë mënyrë,” shtoi Metalla.
E njëjta linjë kritike ndahet edhe nga konstitucionalistët, të cilët folën me BIRN në kushtet e anonimatit.
Ata vlerësuan se kjo mbrojtje për Guvernatorin dhe zëvendësit e tij “nuk parashikohej në Kushtetutë” dhe se binte ndesh me frymën dhe reformat ligjore të ndërmarra më herët, ku vendi po shkon drejt zvogëlimit të imunitetit apo mbrojtjeve të Bankës së Shqipërisë.
— Burim: Kallxo, https://kallxo.com/lajm/keshtjelle-mbi-drejtesine-projektligji-i-ri-per-banken-e-shqiperise-pritet-me-kritika/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.