Bandat shqiptare ofrojnë shërbim të plotë për fermat e drogës në Britani
Media britanike zbulon se grupet kriminale shqiptare reklamojnë në rrjetet sociale ngritjen e fermave të kanabisit.
DIASPORË — Bandat kriminale shqiptare kanë nisur të ofrojnë një “shërbim të plotë” për ngritjen e fermave të paligjshme të kanabisit në shtëpi në të gjithë Britaninë e Madhe. Sipas medias britanike GB News, grupet kriminale reklamohen hapur në rrjetet sociale, duke u paraqitur si kompani të ligjshme ndërtimi.
Këto ekipe mbërrijnë në banesa me furgona të mbushur me fidanë kanabisi, pajisje hidroponike dhe llamba ngrohëse, duke shndërruar dhoma të tëra brenda pak orësh. Ato modifikojnë instalimet elektrike, izolojnë dhomat me materiale reflektuese për të shmangur zbulimin nga dronët dhe helikopterët e policisë, si dhe vendosin hekura në dyer e dritare.
Pas korrjes dhe shitjes së bimëve, bandat ofrojnë gjithashtu shërbim pastrimi, duke çmontuar fermën dhe duke e kthyer banesën në gjendjen normale. Aktiviteti i paligjshëm i kanabisit në Britani llogaritet në një vlerë prej 2.5 miliardë paund në vit.