Avokati i Popullit: Policia të mos përsërisë shkeljet ndaj të miturve
Avokati i Popullit kërkon masa ndaj shkeljeve procedurale dhe dhunës ndaj të miturve të ndaluar gjatë protestave.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Avokati i Popullit ngriti shqetësime lidhur me mosgarantimin e të drejtave procedurale nga ana e Policisë për të miturit e ndaluar në protesta.
Sipas institucionit, në disa raste të miturit nuk janë mbajtur në dhoma të veçuara, janë marrë në pyetje pa praninë e prindërve apo psikologëve dhe jashtë orarit ligjor, ndërsa në komisariate janë konstatuar edhe me shenja dhune të paekzaminuara. Megjithëse u përshëndet reagimi i Policisë pas raporteve, u theksua nevoja që përgjegjësit të nxirren përpara përgjegjësisë dhe të merren masa për të shmangur përsëritjen e këtyre shkeljeve.
«Në disa raste, të miturit nuk janë mbajtur në dhoma të veçuara, janë intervistuar pa praninë e prindërve ose të psikologëve, si dhe janë marrë në pyetje jashtë orarit ligjor», u shpreh Shabani, duke shtuar se forca e shtetit duhet të jetë e domosdoshme dhe proporcionale për të ruajtur legjitimitetin dhe besueshmërinë publike.