Avokati i Popullit hapi lëndë për paralelen shqipe në Penko
Institucioni ka ndërmarrë veprime me vetiniciativë pas mbylljes së paraleles së pestë në gjuhën shqipe në shkollën fillore të Butelit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Pas raportimeve për mbylljen e paraleles së pestë në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore të Butelit, Petar Zdravkovski Penko, Avokati i Popullit ka vendosur të veprojë me vetiniciativë duke hapur një lëndë të re. Për këtë çështje, shërbimet kompetente kanë kërkuar nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit që të kryejë një inspektim në terren. Gjithashtu, janë kërkuar të dhëna zyrtare edhe nga Ministria e Arsimit dhe nga Komuna e Butelit. Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, përgjigjet nga palët e përfshira priten gjatë javës së ardhshme, për të verifikuar nëse u janë cenuar të drejtat nxënësve për t'u regjistruar në këtë shkollë.