AUV nis kontrollet mujore të qumështit për vaj palme dhe aflatoksina
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur programin e përhershëm të monitorimit të qumështit, duke përfshirë analiza mujore laboratorike.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka filluar zbatimin e programit të përhershëm të monitorimit për sektorin e qumështit, në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit. Ky hap vjen si pjesë e iniciativës së ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, për të forcuar mbikëqyrjen e tregut dhe për të përafruar legjislacionin vendor me standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht kërkesat e Kapitullit 12 për sigurinë ushqimore.
Iniciativa parasheh inspektime dhe analiza të rregullta në të gjitha hallkat e zinxhirit, duke përfshirë ushqimin e kafshëve, fermat, transportin, përpunimin dhe tregtimin e produkteve vendore e të importuara. «Në kuadër të këtij programi, çdo muaj do të realizohen analiza laboratorike fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore, sipas llojit të produktit dhe nivelit të rrezikut», njofton Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, duke shtuar se do të kontrollohet prania e vajit të palmës, qumështit pluhur, aflatoksinave, antibiotikëve dhe baktereve si Salmonella apo Listeria.
Sipas autoriteteve, programi synon kalimin nga kontrollet reaktive në një sistem të bazuar në vlerësimin e rrezikut, ndërsa në rast të konstatimit të shkeljeve do të merren masa ligjore për ndalimin e tregtimit dhe tërheqjen e produkteve jokonforme.