ATK zbulon dhjetëra raste të falsifikimit të vërtetimeve për subvencione
Administrata Tatimore e Kosovës ka dërguar te organet kompetente dhjetëra raste të dyshuara për dokumente të falsifikuara.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjatë dy javëve të fundit, Administrata Tatimore e Kosovës ka hasur në dhjetëra situata ku dokumentet tatimore dyshohet se janë falsifikuar për t'u shfrytëzuar në proceset e aplikimit për subvencione. Këto raste janë përcjellë për trajtim të mëtutjeshëm pranë autoriteteve kompetente, duke ndjekur procedurat përkatëse ligjore, ndërsa mekanizmat verifikues të këtij institucioni mbeten të aftë për të diktuar parregullsi të tilla, sipas njoftimeve të lëshuara.
Përfaqësuesit e këtij institucioni u kanë bërë thirrje subjekteve afariste dhe qytetarëve që të shmangin çdo përgatitje, paraqitje apo përdorim të shkresave të rreme. «Bëjmë thirrje qytetarëve dhe bizneseve mos përdorni, mos paraqitni dhe mos përgatitni dokumente të falsifikuara të ATK-së për të përfituar subvencione apo çfarëdo përfitimi tjetër», thuhet në njoftim, ku theksohet gjithashtu se «Transparenca, ligjshmëria dhe ndershmëria janë përgjegjësi e përbashkët».