Arta Jashari sjell "Arie di Libertà" me pianistin italian Roverelli

Si e ndërtoi sopranoja një mbrëmje që lëviz midis elegancës së operës italiane dhe ngrohtësisë së këngës shqiptare?

Arta Jashari sjell "Arie di Libertà" me pianistin italian Roverelli
Foto: Pixabay

PRISHTINË — Sopranoja Arta Jashari ka dhënë koncertin "Arie di Libertà" në bashkëpunim me pianistin dhe dirigjentin italian Mirco Roverelli, një mbrëmje që ka lëvizur midis elegancës së operës dhe ngrohtësisë së këngës shqiptare. Koncerti, i mbajtur në një skenë me sfond të një qielli yjesh, ka dhënë ndjesinë e një udhëtimi në galaktikën e muzikës operistike.

Programi ka nisur me romanca italiane të shekullit të 19-të: "A Vucchella", "Sogno", "Marechiare" të Paolo Tostit, për të vazhduar me "Non Ti Scordar Di Me" të Ernesto De Curtis dhe "Musica Proibita" të Stanislao Gastaldon.

Më pas ka kaluar në atmosfera lirike të Bellinit me "Malinconia", ndërsa publiku ka dëgjuar edhe "Intermezzo" nga "Cavalleria Rusticana" e Pietro Mascagnit, interpretuar solo në piano nga Roverelli.

Pjesa e dytë ka sjellë arie të njohura operistike të Giacomo Puccinit: "Vissi d'arte" nga "Tosca", "Senza mamma" nga "Suor Angelica", "Tu, tu piccolo Iddio!" nga "Madama Butterfly" dhe "La Tregenda" nga "Le Villi". Sopranoja Jashari ka shpjeguar se këto arie kërkojnë vokal të konsoliduar, kontroll, thellësi emocionale dhe aftësi aktrimi. "Kërkojnë shumë përkushtim e punë. Janë arie shumë të vështira të cilat janë role të mëdha dhe që duan vite të punohen. Aria 'Senza mamma' ishte ideja e maestro Roverellit që të punohet sepse ishte ideja që të jenë arie që përshtaten me vokalin tim pasi tashmë e njeh më mirë se kushdo tjetër. Të gjitha kanë tema që duhet të aktrohen dhe në këtë mënyrë unë u mundova t'ia sjell publikut atë që edhe kam studiuar realisht që roli të vihet në skenë. Jam e lumtur që efekti ka arritur të shkojë te publikut", ka thënë ajo.

Pika kulminante ka qenë premiera absolute e veprës "Cim, cim, ca" e akademikut Vasil S. Tole, një lojë ritmesh dhe ngjyrash tradicionale me energji të gjallë skenike që ka përfshirë publikun, i cili është bërë pjesë e atmosferës përmes duartrokitjeve ritmike. "Pata dëshirë të këndoj premierën e veprës së kompozitorit, akademikut dhe etnomuzikologut të famshëm, Vasil Tole, të cilin e falënderoj shumë që ma ka besuar veprën e cila e bëri publikun të ngrihet në këmbë. Më pas edhe këngën e së madhes, Nexhmije Pagarusha, të cilën gjithmonë e kam në program dhe e përmbylla me veprën e njohur nga filmi 'Godfather' të cilën mendoj se të gjithë e kanë njohur", ka shtuar Jashari.

Programi shqiptar i koncertit ka vijuar me "Të dua Prishtinë" e aranzhuar nga Kreshnik Aliçkaj, ku rrëfimit vokal i është bashkuar trumbetisti Avni Krasniqi. Dialogu mes zërit dhe trumbetës ka krijuar atmosferë nostalgjike dhe solemne, duke e bërë këngën një deklaratë dashurie për kryeqytetin.

Për më tepër, programi ka vazhduar me zërat e korit të fëmijëve "Okarina" në interpretimin e "Fluturo pëllumb i bardhë" si dhe "Lule jemi" nga opera "Skënderbeu" e Prenk Jakovës. Në këtë interpretim janë bashkuar Arta Jashari, sopranot Elona Sadiku e Urta Haziraj dhe altoja Andra Rexhepi, ndërsa kori "Okarina" ka qenë nën drejtimin e sopranos Elikona Hysaj-Shala. Koncerti është përmbyllur me "Parla Più Piano" të Nino Rota.

Jashari ka treguar se bashkëpunimi me Roverellin lindi pas një udhëtimi turistik në Romë, ku në bazilikën San Pietro takoi muzikantë që e lidhën me maestron e Akademisë di Santa Cecilia. "Prej udhëtimit tim të parë në Romë që e kam bërë në mënyrë turistike, në bazilikën San Pietro kam takuar një varg njerëzish, muzikantësh, që më kanë ofruar të jem në bashkëpunim me ta. Pastaj jam takuar me maestro Roverellit, i cili është nga institucioni më i veçantë dhe më i lartë në Romë, Akademia di Santa Cecilia. Pasi më ka dëgjuar më ka marrë përsipër të punojmë bashkë dhe ka një vit që bashkëpunojmë. Ishte ideja ime që të sjellim një muzikë që ndoshta nuk është kënduar më parë në këtë formë. E kemi ndërruar edhe stilin pak që të ketë ndryshim të atmosferës", ka thënë ajo.

Koncerti ka dëshmuar pjekurinë interpretative të artistes, e cila secilën vepër e ka ndërtuar si rrëfim skenik — nga romancat italiane deri te kënga qytetare shqiptare.

Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. ZKA gjen shkelje në miliona euro prokurime të Ministrisë së Mbrojtjes
  2. Si zgjidhet vjedhja e energjisë me ndërmjetësim në Prishtinë?
  3. Çfarë bleu MASHTI me 250 mijë euro nga një grafik lokal?
  4. Kush janë 20 më të votuarit e VV-së nga diaspora?

Vazhdo leximin