Alibeaj paralajmëron përplasje si në '97 nëse Rama shkon deri në fund me reformën
Themeluesi i "Djathtas 1912" thotë se Rama do ta mendojë dy herë para se ta miratojë reformën me 30 bashki, sipas "Off the Record" në A2 CNN.
TIRANË — Themeluesi i "Djathtas 1912", Enkelejd Alibeaj, tha se nëse qeveria e reduktojë numrin e bashkive në 30 apo 40, kjo do të shërbejë si një tjetër motiv për mobilizimin e qytetarëve kundër kryeministrit Edi Rama. Deklarata erdhi në emisionin "Off the Record" me gazetaren Andrea Danglli, në A2 CNN.
Alibeaj ngriti dyshime nëse Rama do ta çojë deri në fund Reformën Territoriale, duke thënë se kryeministri "do ta mendojë dy herë". Sipas tij ka dy mundësi: ose vendi shkon në përplasje si në '97-ën, ose përballet me kutitë e votimit në zgjedhje.
"Inshallah e miraton Rama Reformën Territoriale në shtator me 30 bashki, sepse do të jetë një tjetër motiv që të zbresin atje të gjithë, me grua dhe kalamaj, për të rrëzuar këtë," tha Alibeaj, duke shtuar se përqendrimi i pushtetit është "në ADN-në politike" të Ramës.
Ai argumentoi se me strukturën partiake të kutive të votimit, në 30-40 bashki PD ka "zero shanse" të fitojë ndonjë bashki, dhe Rama do t'i marrë të gjitha — çka sipas tij do të kthehet vetë në bumerang. Nëse një prej 40 bashkive e fiton kandidati i protestës, tha ai, do të shihet "një lëvizje tektonike" kundër pushtetit të Ramës.
Alibeaj shtoi se Rama dhe Berisha "do shkojnë të dy deri në fund me pazare", ndërsa pyetja mbetet nëse do të shkojnë me përplasje si në '97-ën apo me kuti votimi. Sipas tij ekziston edhe një rrugë institucionale — SPAK-u dhe ndërkombëtarët — që mund të marrin masa nëse situata rrezikon të destabilizohet.
Burim: A2 CNN
— Redaksia ZHURMA