AKU ndëshkon kopshtin dhe spitalin në Dibër pasi lanë detyrat
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shtrirë kontrollet në 160 subjekte në të gjithë vendin, duke vendosur tetë gjoba me vlerë totale 1.460.000 lekë.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar kontrolle në 160 subjekte ushqimore gjatë dy ditëve në rang vendi, nga të cilat 50 subjekte me origjinë shtazore, 78 me origjinë joshtazore dhe 32 subjekte MBIB. Si rezultat i verifikimeve, trupat inspektuese kanë vendosur nëntë masa administrative me paralajmërim për shkelje të lehta dhe tetë gjoba me vlerë 1.460.000 lekë në total.
Në qarkun Dibër, Kopshti nr. 3 në Peshkopi dhe Spitali Civil Peshkopi janë ndëshkuar me nga 30 mijë lekë secili për shkak të mosrealizimit të detyrave të lëna gjatë inspektimeve të mëparshme. Ndërkohë, në qarqet Fier, Shkodër dhe Durrës kontrollet janë zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik, ku në Fier u bllokuan mbi 2 tonë produkte mishi dhe u vendos një gjobë prej 1 milion lekësh ndaj subjektit “R. Sauli”, pas shkeljeve të konstatuara në kushtet higjieno-sanitare dhe mungesës së gjurmueshmërisë.
Gjoba janë regjistruar edhe në qarqet e tjera, ku subjekti “Universal Frigo Darb” në Shkodër u gjobit me 100 mijë lekë për mungesë të gjurmueshmërisë, ndërsa “Golden Hand Company” në Durrës u ndëshkua me 300 mijë lekë për shkelje në tregtimin e frutave të dryna. Institucioni ka njoftuar se do të vijojë bashkëpunimin me organet ligjzbatuese për të garantuar sigurinë ushqimore.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar



