Aktakuzë ndaj dy personave për vjedhjen e gjashtë kilogramëve ar
Prokuroria Themelore në Prishtinë ngre aktakuzë ndaj dy personave për vjedhje të rëndë, armëmbajtje dhe shpërlarje parash.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, X.V. dhe B.B., të cilët dyshohen për vjedhje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe shpërlarje parash. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë natës së 18 dhe 19 janarit në një argjendari të vendosur në rrugën «Agim Ramadani» në kryeqytet, ku përmes depërtimit nga muri me mjete prerëse u morën rreth gjashtë kilogramë ari, stoli të ndryshme, si dhe një armë zjarri. Vlera e dëmit të shkaktuar nga ky krim llogaritet në 1 milion e 236 mijë euro.
Gjatë bastisjes së kryer në banesën e të pandehurit X.V., Policia kishte sekuestruar një pistoletë të llojit «Ekol Tuna», një karikator dhe tre fishekë që mbaheshin pa autorizim. Sipas hetimeve të organit të akuzës, të pandehurit dyshohet se kanë tentuar të fshehin prejardhjen e paligjshme të të ardhurave përmes qarkullimit bankar dhe blerjes së pasurive të paluajtshme. B.B. dyshohet se ka deponuar shuma parash në llogarinë e saj bankare dhe ka blerë një banesë me vlerë reale 85 mijë euro duke përdorur para të gatshme, ndërsa Prokurori i Shtetit ka kërkuar nga gjykata konfiskimin e përhershëm të banesës dhe një veture që ndodhen nën urdhër ndalues.