Ferati gjen ministrinë pa kushte pune — 30% e stafit pa kompjuterë
Ministri njoftoi se rreth 30 për qind e stafit nuk kanë as kompjuterë apo tavolina, ndërsa paralajmëroi shpërndarje më të drejtë të granteve.
SHKUP — Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, Agon Ferati, deklaroi gjatë një takimi me gazetarët se ka gjetur një institucion me mungesë të theksuar organizimi, pa dokumente strategjike afatgjata dhe me mungesë të kushteve bazë të punës për një pjesë të konsiderueshme të stafit.
Sipas ministrit, rreth 30 për qind e 139 punonjësve të kësaj ministrie nuk kanë kushte elementare për kryerjen e detyrave të tyre të përditshme. Atyre u mungojnë pajisjet kryesore si kompjuterët, tavolinat e punës dhe zyrat e përshtatshme, çka tregon se burimet njerëzore nuk janë shfrytëzuar si duhet.
Ferati sqaroi se që nga themelimi i ministrisë janë hartuar vetëm dy strategji të shkurtra dyvjeçare, ndërsa kërkohet planifikim afatgjatë. Për të përmirësuar këtë gjendje, ai paralajmëroi themelimin e dy sektorëve të rinj: një për partneritete strategjike dhe fonde evropiane, dhe një për analiza dhe kërkime shkencore.
Për këto njësi të reja planifikohet të angazhohen nga 8 deri në 12 profesionistë të rinj, ndërkohë që stafi ekzistues do t’i nënshtrohet trajnimeve. Ministri gjithashtu vuri në dukje ndarjen e pabarabartë të deritanishme të granteve, ku nga 36 projekte të financuara, 29 prej tyre u fituan nga organizatat serbe.
Ferati premtoi se vitin e ardhshëm do të ketë shpërndarje më të drejtë të investimeve publike dhe inkurajoi shoqatat maqedonase të aplikojnë. Ai shtoi se në të kaluarën ndikimi politik ka qenë më i lartë se ai institucional, por tani synohet një reformë e thellë funksionale.
Burim: Shenja
— Redaksia ZHURMA