AGK mirëpret aktakuzën për ngjarjet në Zveçan dhe kërkon përgjegjësi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mirëpritur aktakuzën e re kundër A.S., duke kërkuar që sistemi i drejtësisë të mbajë përgjegjës të gjithë kryerësit e sulmeve ndaj mediave.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës kundër të dyshuarit A.S. për veprat penale «Sulmi ndaj personit zyrtar» dhe «Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi». Sipas Prokurorisë Speciale, rasti lidhet me ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan, ku i dyshuari akuzohet se në bashkëkryerje ka sulmuar ushtarët e KFOR-it me dhunë, mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.
Si pasojë e atyre sulmeve janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it, prej të cilëve tre pësuan lëndime të rënda, ndërsa u sulmuar edhe veturat e gazetarëve që po mbulonin ngjarjet. AGK ka bërë të ditur se gjatë një periudhe prej pesë javësh në tensionet e majit dhe qershorit 2023 janë shënuar 35 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në veri të vendit, duke përfshirë sulme fizike, dhe ka theksuar se do të angazhohet që sistemi i drejtësisë të mbajë përgjegjës të gjithë personat që penguan punën e mediave.