AGK kërkon masa sigurie për Lirim Mehmetajn pas arrestimit të Gani Gecit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon masa sigurie pas kanosjes së gazetarit Lirim Mehmetaj, për të cilën u arrestua Gani Geci.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë fizike të gazetarit Lirim Mehmetaj dhe familjes së tij. Ky reagim vjen pas kanosjes ndaj themeluesit të Vox Kosova, ngjarje për të cilën është arrestuar ish-deputeti Gani Geci.
Në njoftimin e publikuar, AGK-ja ka dënuar në termat më të ashpër aktin dhe ka shprehur shqetësimin për rrezikimin e sigurisë fizike të Mehmetajt, duke theksuar se «shprehja e mendimit të lirë për çështje me interes publik dhe për figura publike, përfshirë deputetët, është një e drejtë themelore në një shtet demokratik». Asociacioni ka shprehur gjithashtu mirënjohje për reagimin e shpejtë të Policisë dhe përkushtimin e Prokurorisë për ta trajtuar rastin.
Sipas AGK-së, kanosja ndaj gazetarit Mehmetaj pasqyron klimën e vështirë në të cilën ushtrohet gazetaria dhe nevojën urgjente për t’i dhënë fund intimidimit të punonjësve të medias, pasi akte të tilla përbëjnë një goditje të rëndë ndaj lirisë së saj.