Abdixhiku pranon vendimin e Kuvendit, nis thirrjen për bashkimin e LDK-së
Kryetari e quan Kuvendin e mbrëmshëm 'të panevojshëm dhe të dëmshëm', por pranon me përulësi vendimin e delegatëve.
PRISHTINË — Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se mbrëmë u mbyll një kapitull dhe sot nis rruga e bashkimit të LDK-së. Reagimi erdhi pas Kuvendit të mbrëmshëm të partisë, ku sipas tij fjala e fundit i takoi anëtarësisë.
Abdixhiku pranoi se e kishte konsideruar këtë Kuvend "të panevojshëm, të dëmshëm e të ngutshëm", por tha se tashmë ai i përket së shkuarës. "E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve," tha ai, duke e quajtur këtë si një përgjegjësi të re për të ruajtur "me fanatizëm" kahjen e LDK-së.
Kryetari theksoi se LDK është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, të maturisë dhe të respektit për mendimin ndryshe, dhe se pikërisht këto vlera duhet ta udhëheqin edhe tani. "Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri; ajo kërkon respekt," tha Abdixhiku, duke shprehur mirënjohje si për ata që e mbështetën, ashtu edhe për ata që menduan ndryshe.
Abdixhiku bëri thirrje për bashkimin e LDK-së e më pas të gjithë Kosovës, duke thënë se Republika ka nevojë për stabilitet institucional, institucione funksionale dhe një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër. "Mbrëmë mbyllëm një kapitull. Sot fillojmë punën, së bashku," përfundoi ai.
Burim: Gazeta Metro
— Redaksia ZHURMA