39 të dënuar certifikohen në Dubravë pas programit të menaxhimit të zemërimit
Të dënuarit në Qendrën Korrektuese në Dubravë përfunduan programin risocializues dhe morën certifikata.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Në Qendrën Korrektuese në Dubravë, 39 të dënuar kanë përfunduar me sukses programin “Menaxhimi i Zemërimit” dhe janë certifikuar për pjesëmarrje. Programi u realizua nga zyrtarët Suzana Gusturanaj dhe Labinot Myrtaj, me qëllim që pjesëmarrësit të zhvillojnë aftësi për të kontrolluar zemërimin dhe për të përmirësuar sjelljen.
Gjatë trajnimit, të dënuarit u angazhuan në njohjen dhe menaxhimin e impulseve, si dhe në përmirësimin e mënyrës së të menduarit. Synimi ishte që ata të mësojnë forma më konstruktive të komunikimit dhe të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre, duke krijuar mundësi më të mira për risocializim dhe riintegrim në shoqëri.
Në ceremoninë e certifikimit mori pjesë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës, Arsim Sherifi, së bashku me zyrtarë të tjerë. Drejtuesit e institucionit theksuan se programet risocializuese ndihmojnë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe në uljen e incidenteve, duke kontribuar në parandalimin e përsëritjes së veprave penale.