Si ndryshojnë rregullat e reja të pensionit në Zvicër për mërgimtarët shqiptarë?
Qeveria zvicerane heq dorë nga ngritja e moshës së pensionimit, por e vështirëson daljen e parakohshme për mërgimtarët shqiptarë.
BERNË — Qeveria e Zvicrës ka prezantuar planet kryesore të reformës së sigurimeve pensionale (AHV), duke hequr dorë nga ngritja e moshës së pensionimit mbi 65 vjeç. Vendimi prek qindra mijëra mërgimtarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër.
Përkundër presioneve nga lobet ekonomike dhe partitë e djathta, mosha e pensionimit për burra mbetet 65 vjeç. Në vend të kësaj, qeveria synon të motivojë popullsinë të punojë më gjatë dhe ta bëjë dukshim më të vështirë daljen në pension të parakohshëm — e cila nuk do të jetë e mundur para moshës 63-vjeçare, sipas planeve të qeverisë.
Do të ketë vetëm disa përjashtime: punëtorët e moshuar që humbin vendin e punës mund të pensionohen para kohe nga mosha 60 vjeç, ndërsa modelet ekzistuese të pensionimit të parakohshëm për profesione të rënda — si ndërtimtaria, ku ka përqendrim të lartë punëtorësh shqiptarë — do të mbeten të paprekura.
Numri i pensionistëve në Zvicër parashihet të rritet nga 2,5 në 3 milionë deri në vitin 2035. Qeveria konsideron të siguruar financimin e sistemit deri në 2040 pa ngritur moshën e pensionimit, pas refuzimit popullor dy vite më parë të nismës për ngritje automatike.
Për të inkurajuar punën pas 65 vjeç, arkat e pensioneve do të detyrohen të sigurojnë të punësuarit mbi këtë moshë nëse ata dëshirojnë të vazhdojnë. Reforma ka hyrë në fazën e konsultimit publik deri më 11 shtator 2026, para se projektligji t'i dërgohet Parlamentit në fund të vitit.
Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.