← shqiperi
Live · shqiperi · 01:55 · 20 Korrik 2026

Pse tërhiqen zonat e mbrojtura të Kukësit?

34 mijë turistë vizituan zonat e mbrojtura të Kukësit në qershor, nga të cilët 17 210 ishin vendas dhe 16 805 të huaj

— Turistë vendas dhe të huaj po zgjedhin zonat e mbrojtura të Kukësit për të eksploruar natyrën, shtigjet malore, biodiversitetin dhe bukuritë e veçanta të një prej trevave më të pasura të veriut të Shqipërisë. Në këto zona, vizitorët mund të shijojnë peizazhe alpine, burime natyrore, pyje, liqene dhe monumente të natyrës, duke e kthyer eksplorimin në një përvojë të ndërthurur mes aventurës dhe njohjes së trashëgimisë natyrore.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura të Kukësit, Lefter Gjana tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “nga janari deri në fund të qershorit zonat e mbrojtura u vizituan nga 34 015 vizitorë, nga të cilët 17 210 janë vendas dhe 16 805 të huaj. Ndërsa vetëm në qershor numri i vizitorëve arriti në 22 925 duke shënuar edhe shifrën më të lartë të këtij viti”.

“Konkretisht Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, që është në administrimin e ADZM Kukës, u vizitua nga 24 055 turistë, nga të cilët 11 860 ishin vendas dhe 12 195 të huaj. Parku Korab-Koritnik u vizitua nga 9665 turistë, nga të cilët 5180 vendas dhe 4485 të huaj, ndërsa Parku Natyror i Munellës u vizitua nga 295 turistë”, theksoi Gjana.

Në Parkun Kombëtar të Alpeve, ndër zonat më të vizituara janë shtigjet turistike Via Dinarica, që përshkon itinerarin Valbonë–Çerem–Dobërdol–Sulbicë, shtegu Theth–Valbonë, si dhe shtegu drejt Ujvarës së Valbonës. “Interes të veçantë për vizitorët paraqesin edhe majat e larta të parkut, si Maja e Ragamit dhe Maja e Hekurave, të cilat ofrojnë panorama spektakolare të Alpeve Shqiptare”, tha Gjana.

Ndërkohë, në Parkun Natyror Korab–Koritnik, turistët po frekuentojnë një sërë pikash me vlera të veçanta natyrore, mes të cilave shtegu Liqeni i Kallabakut–Maja e Kallabakut–Çajë, Liqeni i Kallabakut në Turaj, itineraret Tërshen–Maja e Gjallicës dhe Brekije–Maja e Gjallicës, si edhe ujvarat e Belës dhe Topojanit. Gjana bën të ditur se “një nga pikat më të preferuara vijon të jetë Liqeni i Kallabakut, i cili tërheq një numër të konsiderueshëm vizitorësh vendas dhe të huaj falë bukurisë natyrore, qetësisë dhe mundësive që ofron për eksplorim”.

Në Parkun Kombëtar të Alpeve, për të lehtësuar lëvizjen e vizitorëve dhe për të rritur sigurinë gjatë eksplorimit, janë shënuar disa nga shtigjet më të frekuentuara, ndër të cilat Çerem–Trokuz, Valbonë–Ujëvara e Valbonës, Valbonë–Qafa e Valbonës dhe Dragobi–Valbonë. “Këto itinerare ofrojnë mundësi për të zbuluar nga afër peizazhet alpine, pyjet, burimet natyrore dhe pasuritë e biodiversitetit të një prej zonave më të veçanta të veriut të Shqipërisë”, tha Gjana.

Ai i bën thirrje vizitorëve që këtë verë të eksplorojnë natyrën e zonave të mbrojtura, duke ruajtur njëkohësisht vlerat e tyre natyrore. “Ftojmë vizitorët të shijojnë peizazhet mahnitëse, ajrin e pastër dhe mikpritjen e zonës, duke respektuar mjedisin që vizitoni. Mos të lenë mbeturina, të ndjekin shtigjet e shënuara, të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e këtyre zonave”, tha Gjana.

Me shtigjet e shënuara, pasuritë natyrore dhe mundësitë për turizëm aktiv, zonat e mbrojtura të Kukësit po konsolidohen si destinacione të rëndësishme për të gjithë ata që kërkojnë aventura, qetësi dhe përvoja pranë natyrës.

Burim: KultPlus
— Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #shqiperi

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën