← Kosovë
Live · Kosovë · 23:54 · 15 Korrik 2026

Kush po i shkakton zjarret në deponinë e mbeturinave në Pejë?

Ndërmarrja Publike 'Ambienti' thotë se kjo ndodhi nga veprimet e personave të pandërgjegjshëm

— Një pjesë e deponisë së mbeturinave në fshatin Sferkë të komunës së Pejës, dje, më 14.07.2026, ishte kapluar nga zjarri. Lidhur me këtë, Ndërmarrja Publike 'Ambienti' bën të ditur se kjo dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e veprimeve të personave të pandërgjegjshëm.

Nga kjo kompani kanë bërë të ditur se kjo po e rrezikon sigurinë e punëtorëve si dhe po shkakton ndotje të madhe të ambientit. Besnik Kelmendi, menaxher i deponisë, tha se kjo deponi është lënë keq nga institucionet. Sipas tij, ende nuk dihet se nën menaxhimin e kujt është deponia.

'Është lënë shumë keq kjo deponi, kjo ka qenë për 25 vjet, është regjionale. Jo Peja, jo 'Ambienti' po e menaxhon, është me letra në KMDK-në, nuk e di as vetë ku është, as qysh është, as kush është përgjegjës për këtë. Na kanë lanë me një privat për me i shty mbeturinat, me hapë rrugë, për me zbrazë. Kështu jemi duke punu' – tha Kelmendi.

Ndërsa, kryeshefi i Ndërmarrjes Publike 'Ambienti', Diedon Berisha, tregoi për KALLXO.com se janë duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për lokalizimin e zjarrit. Ai tha se zjarri mund të vijë nga faktorë të ndryshëm, pa e përjashtuar zjarrvënien e qëllimshme.

'Mundet me qenë edhe zjarrëvënie me qëllim por mundet me qenë edhe për arsye të temperaturave të larta të cilat janë këto ditë. Për zjarrin e tashëm, ne jemi duke e menaxhu nga dita e djeshme që e kemi marrë informacionin në ora 19:00 për ndezjen e zjarrit, me fillimin e tij. Ne kemi fillu të bëjmë raportime të menjëhershme për të mos kriju panik në popull' – theksoi Berisha.

Berisha po ashtu tregoi se gjatë ditës së sotme kanë vazhduar njëjtë me procesin e mbledhjes së mbeturinave. Gjithashtu, ai sqaroi se janë duke planifikuar edhe vendosjen e kamerave të sigurisë me qëllim të rritjes së sigurisë në raste të tilla.

Tutje, nga Komuna e Pejës treguan se po planifikojnë mbylljen e deponisë së vjetër dhe hapjen e një të reje 'me standarde europiane'. Faik Zekaj, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, potencoi se hapja e një deponie të re ka qenë projekt i Bashkimit Europian.

Për këtë, Zekaj tha se pas procesit të sanksioneve (ndaj Kosovës), Komuna përsëri e ka nënshkruar marrëveshjen e re për krijimin e deponisë së re dhe mbylljen e deponisë së vjetër. 'Në fakt ka qenë një projekt i Bashkimit Europian për financim të mbylljes së deponisë së vjetër dhe hapjes së një deponie të re, me standarde europiane, që mos me pasë rrezikshmëri për zjarre. Por siç e dijmë me vite kemi qenë në sanksione të Bashkimit Europian dhe nuk kemi mujtë me i shfrytëzu ato mjete që kanë qenë të ndame dhe na e kemi pasë pjesën tonë. Tash e kemi rinënshkru marrëveshjen e re pasi janë heqë sanksionet e Bashkimit Europian për Kosovën. Po shpresoj që shumë shpejt ka me fillu mbyllja e kësaj deponie dhe hapja e deponisë së re' – u shpreh ai.

E njëjta deponi ishte kapluar nga zjarri edhe gjatë vitit të kaluar, më 17.09.2025.

Burim: Kallxo, https://kallxo.com/lajm/kush-po-i-shkakton-zjarret-ne-deponine-e-mbeturinave-ne-peje/
— Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #kosove

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën