Kërkohet task-forcë shtetërore për trajtimin e Speciales
Profesori Dritëro Arifi kritikon Qeverinë dhe partitë politike për neglizhencë ndaj Dhomave të Specializuara.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka ngritur shqetësime lidhur me trajtimin e çështjes së Dhomave të Specializuara, duke drejtuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës dhe partive politike për neglizhencë në këtë drejtim. Ai ka kërkuar themelimin urgjent të një task-force shtetërore e cila do të përbëhej nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Sipas tij, pas zgjedhjes së presidentes së re, Justina Shiroka-Pula, institucionet është dashur të veprojnë me ritme më të shpejta dhe të caktonin një koordinator jopartiak që do të udhëhiqte këtë task-forcë në bashkërendim me partitë politike shqiptare. Duke trajtuar hapat e deritanishëm, Arifi ka vlerësuar se është arritur unifikimi i një pjese të madhe të spektrit shqiptar për të siguruar një zë të përbashkët nga brenda, çka vlerësohet si i domosdoshëm për një diplomaci më efektive dhe përpjekje më të fuqishme lobimi.
Megjithatë, pavarësisht zgjedhjes së presidencës si një institucion mjaft i rëndësishëm për hapat e ardhshëm, ai ka vërejtur mungesë veprimi nga parlamenti dhe qeveria. Ndonëse presidenca sapo ka marrë detyrën dhe mund të kërkojë kohë për t'u adaptuar, Arifi ka theksuar se ka pritur prej kryeministrit caktimin e një drejtuesi për task-forcën. Përbërja e këtij mekanizmi, sipas tij, nuk duhet të kufizohet vetëm te përfaqësuesit partiakë, por duhet të mbështetet tek ekspertët që do të ndërtojnë një strategji të qartë juridike dhe politike për t'iu qasur këtij narracioni, një pritshmëri që sipas tij nuk është përmbushur.
Në kuadër të përgjegjësive politike, Arifi ka vënë në shënjestër edhe Partinë Demokratike të Kosovës, duke deklaruar se ajo nuk po reagon në kohën e duhur, pavarësisht se pikërisht kjo parti kishte iniciuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.