Sfidat e sigurisë në Kosovë sipas blogut ushtarak italian
Blogu ushtarak italian analizon sfidat e sigurisë, tranzicionin e komandës së KFOR-it dhe dialogun.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Gjenerali italian, Roberto Vergori, do të marrë nën drejtim KFOR-in nga dita e katërmbëdhjetë e muajit tetor të këtij viti. Me rastin e tranzicionit të komandës, në shkrimin e publikuar bëhet e qartë se ndër sfidat kryesore në vend vazhdojnë të mbeten situata në veri, procesi i dialogut, rreziqet nga kërcënimet hibride e dezinformomi, si dhe domosdoshmëria e një koordinimi efektiv në disa nivele të sigurisë.
Sipas analizës së paraqitur lidhur me tensionet në veri të Kosovës, fërkimet e vazhdueshme etnike dhe politike në komunat me shumicë serbe në atë pjesë të vendit paraqesin faktorin kryesor të paqëndrueshmërisë. Për këtë arsye, kërkohet një kontroll i vazhdueshëm dhe i balancuar në terren për të menaxhuar situatën. Sa i përket procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, udhëhequr përmes lehtësimit të Bashkimit Evropian, theksohet se ngecjet e herëpashershme dhe periudhat e përshkallëzimit verbal e diplomatik kërkojnë praninë e KFOR-it si palë e tretë dhe garantues neutral.
Përtej dimensionit tradicional të sigurisë, rajoni përballet gjithnjë e më shumë me fushata dezinformimi dhe ndërhyrje të jashtme që synojnë destabilizimin e ekuilibrit të pushtetit në Ballkan. Për të parandaluar çdo lloj përshkallëzimi dhe për të menaxhuar krizat në kohë reale, në shkrim theksohet nevoja për ruajtjen e ndërveprimit efektiv ndërmjet KFOR-it si ndërlidhës i sigurisë së nivelit të tretë, Policisë së Kosovës në cilësinë e ndërlidhësit primar dhe EULEX-it si ndërlidhës sekondar i sigurisë.