Drenica dhe Feronikeli 74 ndajnë pikët në ndeshjen e Superligës
Ndeshja ndërmjet Drenicës dhe Feronikelit 74 është mbyllur baras me rezultat 2:2 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Drenica është ndalur në barazim nga Feronikeli 74 të shtunën mbrëma në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, në ndeshjen e xhiros së tetë të Superligës. Përballja e zhvilluar në këtë stadium ka sjellë katër gola dhe emocione deri në minutat e fundit, duke lënë skuadrat të ndajnë pikët në këtë xhiro të kampionatit.
Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje është mbyllur me rezultat të barabartë 1:1. Mysafirët kanë kaluar të parët në epërsi që në minutën e dytë të takimit, kur Lorik Dobratiqi ka realizuar për 1:0. Skuadra nga Drenasi megjithatë nuk ka arritur ta ruajë këtë epërsi për një kohë të gjatë, pasi vetëm tre minuta më vonë, Kreshmir Luetiq i skuadrës nga Drenasi ka shënuar autogol, duke barazuar rezultatin në 1:1, shifër me të cilën edhe ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes.
Në pjesën e dytë, Drenica ka arritur të kalojë në epërsi kur kapiteni Genc Hamiti ka shënuar nga afërsia në minutën e 62-të. Mirëpo, avantazhi i vendasve nuk ka zgjatur deri në fund, sepse goli i Ibrahim Cërvadikut e ka vendosur sfidën në minutën e 72-të, duke barazuar sërish rezultatin. Gjatë minutave shtesë, mysafirët kanë menduar se kanë fituar penallti, mirëpo pas rishikimit të situatës në VAR është konstatuar pozitë jashtë loje gjatë ndërtimit të aksionit.
Pas këtij barazimi, Drenica gjendet në vendin e shtatë me 10 pikë të tubuara, ndërsa Feronikeli 74 ka arkëtuar tri pikë më pak dhe ngjitet në pozitën e tetë, e cila i takon zonës së barazhit në tabelën e Superligës së Kosovës.