Yzeiraj: Rreth 80% e qytetarëve do të ndjejnë uljen e çmimeve vitin e ardhshëm
Zëvendësministri i Financave thotë se ndryshimet e reja fiskale do të ndikojnë drejtpërdrejt te konsumatorët.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Nga viti i ardhshëm rreth 80 për qind e popullatës do të ndiejë uljen e çmimeve, sipas zëvendësministrit të Financave, Endrit Yzeiraj. Gjatë një interviste televizive në emisionin e–Zone në Vizion Plus, numri dy i financave deklaroi se ekzistojnë fakte dhe analiza që ky efekt të transmetohet direkt te konsumatori.
Yzeiraj vlerësoi se një ulje e TVSH-së për ushqimet në nivelin 6 për qind do të përkthehet minimalisht në një ulje prej 10 për qind në çmimet finale. Ai shtoi se kjo praktikë është aplikuar edhe në vende të ndryshme për të mbështetur shtresat në nevojë, ndërsa theksoi se nëse ulja në rafte do të jetë vetëm 5 për qind, kjo përbën tregues se tregu ka probleme strukturore. Për të garantuar që politika fiskale të arrijë deri te xhepi i konsumatorit, institucionet do të shtojnë praninë e tyre në treg.
Autoriteti i Konkurrencës do të ketë detyra shtesë për funksionimin më të mirë të tregut, ndërsa platforma e lançuar e çmimeve do të rrisë transparencën dhe do të nxisë konkurrencën mes operatorëve. Në total janë parashikuar 10 ndryshime në taksa dhe tatime për vitin e ardhshëm, të cilat përafrojnë politikën fiskale me Bashkimin Europian, ku një pjesë e tyre janë afruar dy vite para.